Site icon PrishtinaPress

Kusari pas vendimit të Apelit për “Aferën e Hidrocentraleve”: Ndjehem e liruar nga barra e padrejtësisë

Deputetja e VV-së Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxhës e Arben Gjukës, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion, në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.

Kusari ka thënë se aktakuza ishte ngritur pa bazë ligjore,  pa motiv për krimin e supozuar dhe pa asnjë evidencë për përfitim material apo çfarëdo forme tjetër të përfitimit për të akuzuarit.

Ndërsa thotë se ndjehet e liruar nga barra e padrejtësisë, pavarësisht se asnjëherë nuk kishte humbur  besimin në drejtësi.

“Unë ndjehem e liruar nga barra e padrejtësisë, pavarësisht se asnjëherë nuk humba besimin në drejtësi, por e di se kemi rrugë të gjatë deri tek drejtësia univerzale dhe e garantuar në vendin tonë! Faleminderit të gjithëve që besuan në pafajësinë time dhe që ishin të palëkundur gjatë gjithë këtyre viteve”, shkruan kusari në Facebook.

Postimi i plotë i Kusarit:

Në veten e parë, unë Mimoza Kusari – Lila, qytetare e Republikës

Tetë vitet e fundit për mua ishin plot sfida profesionale dhe politike, me angazhim dhe përkushtim të parezervë për krejt çfarë kam ditur dhe mundur ta bëjë në postin e të zgjedhures nga qytetarët e Republikës.

Po i njejti numër i viteve ishte i ndarë padrejtësisht me peshën e rëndë, të cilën e kam bartur mbi supe fillimisht me hetimet dhe pastaj me akuzën e ngritur nga sistemi ynë i drejtësisë.

Prej vitit 2015, kur bartja detyrën e Kryetares së Gjakovës, përmes një telefonate të një gazetari e kuptova se kishte “proces të hetimeve” ndaj meje dhe të tjerëve, për procesin e privatizimit të Distribucionit të rrjetit të energjisë elektrike të përmbyllur me 2013-ten, kur kam qenë pjesë e Komitetit Qeveritar të Privatizimit.

Nga maji 2015, deri në prill të 2020-tes vazhduan hetimet, intervistimet fillimisht nga policia, pastaj nga prokuroria dhe ekspertët e saj, dhe në fund me 12 prill, 2020, ai proces u shëndrrua në aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, prej së cilës periudhë jeta ime dhe ajo e familjes sime nuk ishte më e njejtë.

Ofendimet, fyerjet, linqimet dhe akuzat e gjithë oponentëve politikë dhe tjerëve sipas nevojës (apo fushatës zgjedhore), kishin marrë formën e brutalitetit të luftës deri në eliminimin politik, nëse do të heqja dorë nga beteja për drejtësi.

Nuk akuzova askënd me emër në gjithë këto vite, pos sistemit të thyer i cili lejon diletantë, ekspertë gjyqësorë e prokurorë tendencioz të luajnë lojë fjalësh e fate njerëzish, dhe i cili lejon që pa bazë ligjore të ngriten akuza e ipen interpretime tragjiko-komike në seancat gjyqësore përgjatë dy viteve sa zgjaten seancat.

Unë ndjehem e liruar nga barra e padrejtësisë, pavarësisht se asnjëherë nuk humba besimin në drejtësi, por e di se kemi rrugë të gjatë deri tek drejtësia univerzale dhe e garantuar në vendin tonë!

Aktakuza ishte ngritur:

– pa bazë ligjore

– pa motiv për krimin e supozuar

– pa asnjë evidencë për përfitim material apo çfarëdo forme tjetër të përfitimit për të akuzuarit.

Aq e pabazuar ishte akuza, saqë në të shkruante se përkundër se të pandehurit ishin përgjuar me vite, pasuritë dhe llogaritë bankare ishin verifikuar dhe ASNJË ndryshim nuk ishte evidentuar, prapë ne ishim fajtor.

Megjithatë, jo çdo gjë ishte e errët për mua dhe familjen time në këtë proces. Dora e parë e zgjatur për ndihmë, ishte ajo e avokatit Florent Latifaj i cili ofroi mbrojtjen pro-bono, duke më thënë nga dita e parë se ky rast ishte tërësisht i pabazë dhe ai besonte në pafajësinë time. Bindja e Florentit në pafajësinë time ishte fija ime e shpresës se ka drejtësi dhe fundi do të ishte triumfues. Florenti dhe Driton Musliu, avokati tjetër, jo vetëm që ofruan mbrojtje ligjore, por ishin edhe mbështetësit e mi në procesin dhe vendin ku besimi ishte deficit.

Gjatë procesit gjyqësor kemi qeshur nga sikleti dhe nga padituria e ekspertit gjyqësor dhe argumentet e prokurorit special, sa kishte momente që e bënin gjendjen surreale për rrethanat ku gjendeshim.

Si institucionaliste që jam, kam besuar gjithmonë se do ia dalim si shtet, do të kemi rëniet dhe ngritjet, por finalen do ta kemi të ndritur. Andaj edhe atë bindje mundohesha ta ushqeja në këtë sagë seancash gjyqësore të cilat absorbonin edhe atomin e fundit të energjisë time.

Paneli gjyqësor në këtë proces ishte një prej përvojave pozitive me sistemin e drejtësisë.

Profesionalizimi, durimi dhe vëmendja që gjyqtari kryesues kishte gjatë gjithë procesit, na mbante me besimin në drejtësinë finale. Me datë 8 nëntor, 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli verdiktin e saj, duke e hudhur poshtë akuzën e Prokurorisë Speciale për të ashtuquajturën “Aferë të Hidrocentraleve”. Ishte fryma e parë e çlirimit nga ngarkesa dhe padrejtësia që na ishte bërë me vite.

Sot, me 29 Mars, 2023, gati tetë vite nga telefonata e majit të 2015-tes, ishte telefonata tjetër, kësaj radhe e bashkëshortit Arbenit, me lajmin se ishte publikuar lajmi se Gjykata e Apeli vërteton lirimin.

Apeli kishte konstatuar në mesin e tjerave se:

“Organi i akuzës ka bërë referenca të gabuara ligjore për arsye se Ligjin për Rregullatorin e Energjisë Elektrike, respektivisht nenin 35 paragrafi 4 të Ligjit Nr.05/L-084, nuk ka qenë në fuqi në kohën për të cilën prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën/veprat penale pasi që Ligji në fjalë është ligj i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2016, dhe se në kohën për të cilën akti akuzues i ngarkon të akuzuarit (viti 2013), pra ky ligj nuk ka qenë në fuqi, në fakt as që ka qenë i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”.

Dmth, Prokuroria Speciale e Kosovës, mban proces për tetë vite me pretendimin e krimit me REFERENCË TË GABUAR të ligjit. Kjo nuk do të duhej të ndodhte as në vendet me demokraci të cenuar, apo edhe pa të, e lërë më në vendet me demokraci funksionale. Dmth, Prokuroria e shtetit për vendimin e vitit 2013, kërkoi ndjekje me referencën në ligjin e vitit 2016! Kjo përveq se absurde, e gabuar dhe skajshmërisht tendencioze, ka qenë rast për një precedan skandaloz të sistemit prokurorial.

Unë ndjehem e liruar nga barra e padrejtësisë, pavarësisht se asnjëherë nuk humba besimin në drejtësi, por e di se kemi rrugë të gjatë deri tek drejtësia univerzale dhe e garantuar në vendin tonë!

Faleminderit të gjithëve që besuan në pafajësinë time dhe që ishin të palëkundur gjatë gjithë këtyre viteve!

Exit mobile version