Site icon PrishtinaPress

Kusari-Lila prezanton situatën energjetike të Kosovës në mbledhjen e Parlamentit Evropian

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka qëndruar sot në Parlamentin Evropian, ku ka përfaqësuar Kuvendin e Republikës së Kosovës në mbledhjen e Plenumit Parlamentar të vendeve anëtare të Komunitetit të Energjisë.

Në këtë takim, Kusari-Lila ka mbajtur edhe fjalim, përmes të cilit ka prezantuar kapacitetet e Kosovës në prodhimin e energjisë dhe të tjera.

Ky është njoftimi i plotë i Kusari-Lilës:

Sot në Parlamentin Evropian në Bruksel, u mbajt Mbledhja e rregullt e Plenumit Parlamentar të vendeve anëtare të Komunitetit të Energjisë, në të cilën në emër të Kuvendit të Kosovës, prezantova angazhimet, të arriturat dhe sfidat e sektorit energjetik në Kosovë.

Kosova si vend anëtar i Komunitetit të Energjisë, krahas Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Gjeorgjisë, Moldovës dhe Ukrainës, në plenum përfaqësohet nga dy deputetë, pozitë dhe opozitë, anëtarë të Komisionit për Ekonomi.

Më poshtë, mund të lexoni fjalimin tim të plotë nga ky aktivitet:

I nderuar Z. Cristian-Silviu Buşoi, Kryetar i Komisionit për Industrinë, Hulumtim dhe Energji, në Parlamentin Evropian,

z. Arben Pëllumbi, Kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Kryetar i Plenumit Parlamentar të Komunitetit të Energjisë 2023

Z. Artur Lorkowski, Drejtor, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë,

Kolegë deputetë nga vendet anëtare, të nderuar pjesëmarrës,

Jam e lumtur që takohemi bashkë në Parlamentin Evropian në Bruksel, pas përfundimit të stinës së dimrit e cila kaloi pa pasoja të mëdha për të cilat u frikësuam dhe diskutuam në takimin tonë paraprak në Dhjetor të vitit të kaluar.

Me përfundimin e sezonit të ngrohjes dhe fillimin e përgatitjes për sezonin e ardhshëm, përpjekjet tona për tranzicionin energjetik vazhdojnë në Kosovë bashkë me zbatimin e objektivave të strategjisë së Energjisë të cilat filluan me zhvillime pozitive.

Si rikujtim për objektivat tona në dekarbonizimin dhe rritjen e burimeve të energjisë së ripërtritshme, ne nëbstragjeninë 2022 – 2031, kemi prezantuar objektivat për dekarbonizim dhe promovim të energjisë së ripërtritshme.

Kapacitetet e reja të BRRE-ve, do të zëvendësojnë gradualisht teknologjinë ekzistuese me atë inovative duke zëvëndësuar përdorimin e qymyrit deri në   largimin e plotë, më së voni deri në vitin 2050.

Ky objektiv strategjik do të adresohet përmes tri qëllimeve specifike:

1. Zbatimi gradual i çmimit të karbonit;

2. Promovimi i energjisë së ripërtritshme në mixin e prodhimit të energjisë elektrike;

3. Promovimi i përdorimit të energjisë së ripërtritshme për ngrohje.

Qëllimet kryesore për këtë objektiv janë:

Përfundimi i të gjitha përgatitjeve për zbatimin e sistemit të çmimit të karbonit deri në vitin 2025, duke mundësuar vendosjen e çmimit të karbonit i cili gradualisht do të rritet deri në integrimin e Kosovës në tregun pan-evropian dhe në Sistemin e Tregtimit të Emisioneve të BE-së (EU ETS),

Reduktimi i emetimeve të gazeve serrë në sektorin e energjisë me të paktën 32% deri në vitin 2031, mbulimi i të paktën 35% të konsumit të energjisë elektrike nga BRRE-të deri në vitin 2031.

Zhvillimi i kapaciteteve të reja nga BRRE-të (600 MW erë, 600 MW fotovoltaike, 20 MW biomasë dhe të paktën 100 MW kapacitet nga konsumatorët vetëprodhues), për të arritur një kapacitet total të instaluar prej 1600 MW deri në vitin 2031.

Në procesin e zbatimit të strategjisë vetëm në muajt e fundit në Kosovë kemi mundur:

–  Nënshkruajmë marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarësh me MCC për bateritë akumuluese.

–  Nisim projektin e ngrohjes qendrore prej 80 milionë eurosh me panele diellore.

–    Inicojmë Projektin e Parkut Diellor në KEK me kapacitet 100 MW.

–  Nënshkruajmë marrëveshjen në vlerë 56.2 milion euro në mes KEK-ut dhe kompanisë amerikane General Electric për modernizimin e teknologjisë së Termocentralit Kosova B dhe rritjen e kapacitetit prodhues për 30 MW.

–  Nënshkruajmë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë deri në 160 milionë euro për investime në kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme.

–  Lancojnë ankandin e parë për parkun e energjisë diellore me kapacitet 100 MW.

– Si dhe të fillojnë punimet e investimit privat në termocentralin diellor me kapacitet 150 MW në Gjakovë

Përveç përpjekjeve të Qeverisë dhe Kuvendit, ne jemi krenarë të ndajmë suksesin e jashtëzakonshëm financiar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kompanisë publike, e cila në vitin e fundit ka shënuar mbi 100 milionë euro fitime.

Suksesi i KEK-ut pasqyron përkushtimin tonë për prosperitet ekonomik dhe qëndrueshmëri energjetike.

Për të rritur efiçencën energjetike, ne do të vazhdojmë zbatimin e programeve në sektorin publik dhe do të vazhdojmë subvencionimin e pajisjeve efiqiente të ngrohjes, sikir pompat e ngrohjes.

Për më tepër, masat e marra gjatë dimrit të kaluar për të mbrojtur qytetarët tanë nga rritja e çmimeve duke inkurajuar uljen e kërkesës, si një skemë shtesë e subvencionimit për konsumatorët që ulën në mënyrë aktive konsumin e tyre në krahasim me vitin e kaluar, do të konsiderohen edhe për këtë dimër që po vjen.

Si shtet, synimi ynë është të transformojmë sektorin e energjisë në Kosovë, duke garantuar besueshmëri, siguri të furnizimit dhe duke harmonizuar politikat tona mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm me ato të BE-së. Ne besojmë se duke punuar së bashku dhe duke marrë mbështetje të mëtejshme nga partnerët tanë, mund të arrijmë një tranzicion të drejtë që na çon drejt një sistemi të energjisë së pastër.

Ndërsa i gëzohemi këtyre arritjeve, ne jemi të vetëdijshëm edhe sfidat që na presin. Ambienti gjithnjë në ndryshim i energjisë kërkon risi dhe përshtatje të vazhdueshme, por ne jemi të vendosur të shfrytëzojmë fuqitë tona legjislative për të ndihmuar edhe në këtë drejtim.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme gjatë kohërave sfiduese.

Exit mobile version