Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila edhe një herë ka folur për përgjimet e publikuara nga gazeta Nacionale, duke pretenduar se janë incizime të jashtëligjshme dhe se janë të edituara.
Ajo ka bërë të ditur se ka përgatitur dy kallëzime penale. Njëri ndaj ish-deputetit Slavko Simiq, e tjetri ndaj portalit Nacionale dhe gazetarit Berat Buzhala.
“Kam përgatitur dy kallëzime penale, njëri ndaj ish-deputetit Slavko Simiq, dhe tjetri ndaj portalit dhe gazetarit që ka bërë publikimin dhe editimin e atyre materialeve”, tha ajo.
Shumica në Kuvend nuk pranoi që për ato incizime të diskutohen në seancën e Kuvendit.
“Kishim një debat të gjerë në kryesi në raport me incizimet e jashtëligjshme që kanë dalë dhe janë të edituara, dhe jam përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të kryesisë. Në krejt diskutimin e deritashëm çdo ditë pas publikimit kam dhënë intervista, asnjëherë nuk kam hezituar të përgjigjem në pyetjet e gazetarëve në raport me incizimet e jashtëligjshme”, tha ajo.
“Seanca e Kuvendit duhet të jetë mbi agjendën legjislative, pyetjet që kanë qenë që janë të natyrës spekulative që synojnë të kenë një manipulim politik dhe goditje politike besojmë që mund të zhvillohen në studio siç janë zhvilluar deri më tash. Opozita mund të thërras seancë të veçantë, sepse e pamë situatën se si deshën ta zhvillojnë këtë debat. Ky debat është ezaurur në krejt çka është ngritur. Nuk kanë qenë përgjime të policisë, por incizime të jashtëligjshme dhe të edituara nga ata që do të bartin pasoja ligjore”, deklaroi ajo.