Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka folur për formimin e institucioneve të reja dhe raportet që kanë me partitë që dolën humbëse në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërkaq deklaroi se ishte kryeministri në detyrë Avdullah Hoti që ditë më parë nuk e përshëndeti kur u takuan për homazhe gjatë Epopesë së UÇK-së në Prekaz.
Kusari-Lila nuk mendon se ka arrogancë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
“Fituesit nuk duhet të kërkojnë falje për fitoren, duhet të jenë gjithashtu edhe në vijë me suksesin e arritur dhe besoj se kjo ka qenë ai elementi që është dukur ose është dhënë përshtypja se Kurti dhe Osmani mund të jenë arrogantë, por nuk e besoj dhe nuk e kam parë si të tillë, në veçanti jo këtyre ditëve të fundit kur ushtruesja e detyrës së presidentes ka qenë në krye të detyrës”, tha Kusari-Lila.
Ajo u shpreh se ishte kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti që ditë më parë nuk e përshëndeti kur u takuan për homazhe gjatë Epopesë së UÇK-së në Prekaz.
“Unë e takova Hotin. Isha me delegacion të Alternativës për homazhe, ndërsa Hoti nuk më përshëndeti. Përderisa të tjerët nga Lidhja Demokratike e Kosovës na përshëndetën, ai personalisht jo. Kështu që duhen dy persona për respekt të ndërsjellë. Nëse ai ende nuk e ka tejkaluar atë çfarë ndodhi në zgjedhje është prapë çështje e tij dhe LDK duhet ta bëjë”, tha Kusari-Lila.
Ajo në një intervistë për Euroneës.al, thotë se duhet biseduar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente derisa për formimin e qeverisë nuk ka nevojë për koalicione.
“Mendoj se hapësirë për koalicione qeverisëse nuk ka në kuptimin se është i qartë vullneti i qytetarëve për atë se çfarë qeverie duan. Por për bashkëbisedim dhe ulje rreth tryezës politike për procesin e zgjedhjes se presidentes, natyrisht se po. Ne do të jemi bashkë në Kuvendin e Kosovës. Presidentja apo roli i presidentes paraqet një pozitë unifikuese, e cila duhet të jetë një person që tejkalon kufijtë politikë të një subjekti apo një liste, prandaj jam e bindur se edhe takimet me përfaqësues të partive politike do të fillojnë së shpejti që të kemi një proces që kalon shpejt, pa ndonjë traumë dhe natyrisht që të kemi një formim të suksesshëm të institucioneve”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka folur edhe për njohjen reciproke Kosovë-Serbi, të cilën ajo e sheh si diçka të pakthyeshme.
“Çështja e njohjes duhet të jetë se është e pakthyeshme dhe duhet që Serbia t’i ndal këto pengesa,” tha Kusari-Lila.