Në seancën e sotme plenare për rishikimin e buxhetit, deputetja Mimoza Kusari-Lila, adresoi kritika të ashpra ndaj ministres së Financave, Hykmete Bajrami.
Kusari-Lila para deputetëve ka thënë se thirrjet e ministres Bajrami, për shkurtime dhe shpenzime, nuk qëndrojnë për faktin se siç tha ajo, kjo Qeveri po i rrit vet shpenzimet me emërimin e zëvendësministrave e këshilltarëve.
“Zonja Bajrami sot bëri dhe thirrje dhe tregoi se janë bërë shkurtime dhe do të bëhen kursime të domosdoshme po si mund të kërkohet që të ketë një mirëkuptim për shkurtime të shpenzimeve dhe atë se çka është e domosdoshme kur vetë i rritni shpenzimet. Nuk mund askush ta mohojë se rritja e ministrive, emërimi i zëvendësministrave, këshilltarëve e kështu me radhë do të rritë shpenzimet e qeverisë”, ka thënë Kusari-Lila
Derisa ministria e Financave, Hykmete Bajrami, iu kundërpërgjigj duke i rikujtuar se kjo e fundit ka votuar buxhetin, pa biseduar për ndryshime strukturore.
“Dola këtu enkas për t’i thënë zonjës Kusari që nuk kam thënë që nuk kemi pasur kohë me bë ndryshime strukturore në komisionin për buxhet dhe transfere, por i kam thënë që rishikimi i buxhetit është bërë për të reflektuar në rënjejn e të hyrave për financimin e pakos emergjente dhe programit për rimëkëmbje ekonomike. Gjithashtu i kam rikujtuar që ndryshimet strukturore nuk bëhen me rishikim të buxhetit dhe i kam thënë që edhe unë edhe ajo e kemi votuar buxhetin, pa biseduar fare për ndryshimet strukturore”, ka thënë Bajrami.