Site icon PrishtinaPress

Kurtit akohet me ambasadorin italian, De Riu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, zhvilluan takim me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili shoqërohej nga Majlinda Bregasi, profesoreshë e gjuhës italiane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë takimit u riafirmua vazhdimësia e marrëdhënieve të frytshme ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me fokus të veçantë tek zgjerimi i shtrirjes së gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë. Në këtë kuadër, Ambasadori De Riu theksoi se Italia ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej shteteve me kontributin më të madh afatgjatë në Kosovë, që nga prania e qëndrueshme e KFOR-it italian e deri tek mbështetja financiare për projekte e procese të tjera zhvillimore në Kosovë.

Aktualisht, kjo mbështetje pritet të konkretizohet edhe përmes iniciativës së Ministrisë së Jashtme të Italisë për të përkrahur shkollat profesionale në profilin e hotelerisë & turizmit. Më tej, u diskutua edhe potenciali i zhvillimit të një programi të ri për gjuhën dhe kulturën italiane në Universitetin e Prishtinës, i cili do të kishte në qendër gjithashtu edhe fushën e komunikimit.

Kryeministri Kurti konfirmoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për iniciativat si kjo që vijnë nga shteti mik i Italisë, duke nënvizuar rëndësinë historike, strategjike e kulturore të Republikës së Italisë për Kosovën dhe rrugëtimin e saj./PrishtinaPress/

Exit mobile version