“Faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar”. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kthehet pas ta kujtojë një premtim që thotë se ndërkombëtarët ia bënë para tre muajsh, një ditë para takimit të parafundit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai e paraqet si rrjedhojë të atij premtimi (garancinë se Lista Srpska merr pjesë në zgjedhje), të parealizuar për përshkallëzimin e situatës deri në dhunë në veri të vendit.
Ka tre javë që përplasjet në Veri – që duken si pjesë e një sërë episodesh tensionimi dhe dhune, shfaqen në intervale të rregullta atje. Situata ka eskaluar rreth dy muaj nga një takim në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në të cilin u arrit pajtim për zbatimin e një marrëveshjeje të cilën ndërkombëtarët e konsideruan historike. U quajt “Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Rruga ishte krejt ndryshe dhe nuk parashihej një skenar që po ndodhë tani.
Kryeministri Albin Kurti e mblodhi sot Këshillin e Sigurisë së Kosovës në 07:00 të mëngjesit, pasi dy njësite speciale të forcave serbe i kidnapuan dje në veri dy policë patrollues kufitarë të Kosovës. Për shkak të kësaj, Kurti tha në një konferencë për media se institucionet e sigurisë “e kanë rritur nivelin e gatishmërisë”, ndërsa tregoi se janë shtuar kontrollet ndaj automjeteve me targa serbe nëpër pikat kufitare.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin fajtor Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje muajin e kaluar u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja para u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.
Por Kurti sot për herë të parë pas tre muajsh foli për një garanci që ndërkombëtarët tha se ia kishin dhanë atij një ditë para takimit me Vuçiqin më 18 mars.
Kurti: Ndërkombëtarët na thanë “Ju garantojmë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje”
Kryeministri Albin Kurti tha se një ditë para se të shkonte në Ohër për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq më 18 mars, ndërkombëtarët e kishin garantuar se nëse do të merreshin vesh për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, Lista Serbe do të merrte pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.
“Një ditë para se të shkojmë në Ohër për atë aneksin e zbatimit, neve faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar: nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohër, ne ju garantojmë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje”, tha Kurti në konferencën për media.
“Dhe a e dini çka ka ndodh?”, pyet Kurti, si për të treguar më pas se premtimi që ndërkombëtarët s’e mbajtën e solli gjithë këtë situatë.
“Zgjatet për 5 ditë afati i regjistrimit, prej 17 mars në 22 mars. Nëse duan të marrin pjesë, pse jo. Ju ka kaluar afati, po e zgjasim. Ne e bëjmë aneksin e zbatimit në Ohër më 18 mars, më 19, 20, 21, 22 mars, Lista Serbe nuk aplikon për t’u regjistruar. Çfarë të bëjmë ne tash? S’mund t’i marrim Listën Serbe me dhunë të garojnë në zgjedhje. Faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar se ata e sigurojnë këtë gjë. Prandaj e kemi zgjatur afatin dhe është bërë aneksi i zbatimit”, tha kryeministri.
Përgjigjja e BE-së: Fokusi tani duhet të jetë shtensionimi që s’po ndodh
Kosova kishte pranuar t’i shtynte zgjedhjet në veri, me gjithë afatin për regjistrimin e partive politike në garë, por Lista Serbe vendosi t’i bojkotonte.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano mbajti sot në Bruksel një konferencë për media, ku u pyet se pse BE-ja s’i realizoi premtimet për ta bindur Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhjet lokale.
Ai u përgjigj duke thënë se fokusi tash duhet të jetë shtensionimi dhe nuk po shihet se diçka e tillë po ndodh në terren.
Stano tha se BE-ja është “ndërmjetës i sinqertë” dhe se “po e bën më të mirën” në lehtëzimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kush bëri çfarë, kush tha çfarë, kur ishte, etj, etj, a është kjo mënyra për ta arritur zgjidhjen? Qëllimi i përgjithshëm është që të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha zëdhënësi i BE-së.
Në përpjekje për ta arritur normalizimin, Stano tha se sjellja europiane “nuk do të thotë përshkallëzim, por gjetja e zgjidhjes, do të thotë konsensus dhe gjetje kompromisesh”, duke mos pasur situatë, kur, siç tha ai, merren hapa të një anshëm dhe më pas “kemi krizë pas krize pas krize, të cilën Bashkimi Europian përpiqet ta zgjidhë”.
Zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit, është kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për Kurtin. Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak nuk morën përgjigje pozitive nga ai për tri kërkesat që ata i patën për shtensionimin e situatës në veri, në një takim të fundit që e patën në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, ndërkaq, i ka paraqitur kërkesat e veta, të cilat ia ka dërguar edhe kreydiplomatit europian, Josep Borrell, kur ky i fundit ka përgatitur masa sanksionuese ndaj Kosovës, për shkak të kësaj sjelljeje.