Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Maqedoni të Veriut, ka vizituar ambasadën e Kosovës në Shkup.
Kreu i qeverisë u prit nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, nga i cili u njoftua mbi punën e ambasadës, zhvillimet në shtetin pritës dhe nivelin e bashkëpunimit dhe raporteve mes dy vendeve.
“Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Qehaja për mikpritjen, teksa shprehu konsideratat e tij për punën e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Këtë të shtunë u raportua se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup, mbrëmë ka pasur tentim për atentat ndaj tij.
Në lidhje me këtë, Kurti tha se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët kanë rrënjët në Beograd.
“Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë se kishte shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup”, tha Kurti