3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kurti vetë i nënti në Bruksel, kë e përzgjodhi për ballafaqimin me Serbinë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për dy vjet qeverisje është marrë në mënyrë intensive me procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore deklaronte se negociatat me Serbinë s’do të jenë prioritet kryesor i tij. Në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje me Serbinë ai është “zhytur” me ekipin e tij që kësaj herë numëron 8 anëtarë. 

Pas udhëtimit drejt Brukselit dhe pas telefonatës që ka zhvilluar gjatë ditës me krahun e djathtë të Sekretarit Blinken, Kurti është lajmëruar në orët e vona me një fotografi bashkë me ekipin e tij.

Në përshkrimin e fotografisë, Kurti ka folur me kompetencë “rreth kompleksitetit dhe thjeshtësisë së përgatitjes për negociata”.

“Arritëm në Bruksel dhe shpenzuam ditën për t’u përgatitur për takimin e nesërm. Të përgatitesh për negociata është njëkohësisht komplekse dhe e thjeshtë. Komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, ka shkruar kryeministri në Twitter.

Por kush është ekipi që po e shoqëron Kurtin në një prej takimeve më të rëndësishme me kreun e shtetit serb.

Në sallën e errët ku gjenden të ulur, Kurti përballë vetes ka zëvendësin e tij, kryengociatorin Besnik Bislimi, i cili përgjatë këtyre dy viteve është marrë me çështjet teknike që ndërlidhen me procesin e dialogut, përfshirë punën e targave, lëvizjen e lirë, marrëveshjen për energjinë e çështje të tjera. Bislimi ka qenë edhe profesor në AUK.

Në krahun e majtë të tij, Kurti e ka ish -gazetarin kosovar Agron Bajramin, i cili mban edhe pozitën e ambasadorit të Kosovës në Belgjikë dhe përfaqësues i Kosovës në Komitetin e BE-së për mbikëqyrjen e zbatimit te marrëveshjes.

Në krahun e djathtë të Bislimit janë të ulur edhe dy këshilltarët politikë të tij, Jeton Zulfaj dhe Tienmu Ma.

Zulfaj është përgjegjës edhe për çështjet që ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit.

Ndërkohë Ma është këshilltar i jashtëm i kryeministrit Albin Kurti për politika publike dhe punon pro-bono.

Në Bruksel me Kurtin është edhe Tea Blakaj-Hoxha që është e ulur në krahun e djathtë të kryeministrit dhe ngjit me të është edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu.

Ekipi i Kurtit në Bruksel përmbyllet me Jeta Krasniqin dhe Fisnik Korenicën.

Jeta Krasniqi ka qenë pjesë e Institutit Demokratik të Kosovës që drejtohet nga Ismet Kryeziu. Krasniqi ka shërbyer si këshilltare politike e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e angazhuar në fushën e politikës së jashtme, zhvillimit ekonomik, promovimit të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Është e diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS). Por, ZKM nuk ka njoftuar se në çfarë cilësie ka udhëtuar atje.

Ndërkohë Fisnik Korenica është jurist me profesion dhe themelues i Grupit për Studime Ligjore dhe Politike- organizatë joqeveritare që funksionon në Kosovë.  Korenica në fushëveprimtarinë e tij merret me çështje që kanë të bëjnë me shtetndërtimin, ligjin e traktateve, të drejtat e njeriut, trashëgiminë e shteteve, ndërmjetësimin, politikën e jashtme dhe zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore.

Në takimin e sotëm në Bruksel pritet të diskutohet për çështjen e personave të pagjetur dhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Sa i përket personave të pagjetur, duket që palët janë shumë afër finalizimit të një dokumenti. Kosova insiston që në atë të dokument të shkruhet “personat e zhdukur me dhunë”, gjë që Serbia po e kundërshton.

Ndërkohë për çështjen e Asociacionit pritet të prezantohet statuti i hartuar nga ekipi menaxhues e që kryesohet nga Danijela Vujicic. Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë që Kosova s’duhet të pranojë një statut të shkruar nga deputetja e Aleksander Vucicit edhe nëse ai statut është i shkruar mirë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img