Kryeministri Albin Kurti, e ka uruar Endrit Krasniqin, fituesin e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK.
Ai u shpërblye me trofeun “Diamanti blu” me këngën “Flas me gjethen”.
Pos fituesit, Kurti uroi edhe Greta Azizin për çmimin e dytë dhe Dea Stricën për çmimin e tretë, njofton Klankosova.tv.
Postimi i plotë:
Në popull thuhet se çdo i dyti person në Kosovë dëshiron të bëhet këngëtar, dhe ashtu është, sepse Kosovës i këndon zemra! Urime për një tjetër edicion impozant të Festivalit të Këngës në RTK, i cili po vazhdon traditën e nisur nga “Akordet e Kosovës” në shekullin e 20-të, tani me një format të ri dhe energji të re. Përgëzime për Endrit Krasniqin, fituesin e trofeut “Diamanti Blu” me këngën “Flas me gjethen,” dhe suksese të mëtejshme për Greta Azizin, që fitoi çmimin e dytë me “Verës,” dhe Dea Stricën me çmimin e tretë për “N’Shqipni.”
Po ashtu, suksese për Besmir Shishkon, që mori çmimin e Pallatit të Rinisë dhe të kryeqytetit me “Unë ajo,” dhe Arnitë Kastratin, fituesen e çmimit të orkestrës për “Blla blla.” Një falënderim për Orkestrën e Festivalit dhe jurinë e respektuar – Minire Fetahun, Jane Sugarman, Ardianë Pajazitin, Valbona Selimllarin dhe Blerta Zeqirin – për vlerësimin dhe përkushtimin e tyre. Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës!