Site icon PrishtinaPress

Kurti thotë se Zvicra vazhdon të mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, zhvilluan sot një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.

Në njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se gjatë takimit, u diskutua për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual.

Kurti theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe se ka qenë e mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, “me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023 dhe se Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës”.

Gjatë bisedës u theksua se deri më tani Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, gjashtë nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.

Exit mobile version