Site icon PrishtinaPress

Kurti thotë se Vetëvendosje mund t’i fitojë më shumë se 65 deputetë në zgjedhjet e reja

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në mbledhjen e 42-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Kurti ka parashikuar rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje do t’i marr 2/3 e votave.

“Sa herë të mundohen ta ndalin Lëvizjen me hile ajo do të rritet. Le të shërbejë kjo si mësim, me intriga me shërbime sekrete nuk ka përparim në politikë, nuk i ha populli mashtrimet, ky emancipim i popullit do të bëjë që Lëvizja Vetëvendosje t’i marr 2/3 e votave”, tha Kurti.

Sipas tij ka gjasa që në zgjedhjet e reja, LVV të ketë më shumë se 65 deputetë.

“Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet janë shumë pranë. Gjasat janë që në këto zgjedhje nga lista jonë të bëhen deputetë më shumë se 65 emra. Nga një anë, ky është lajm i mirë. Por ekziston edhe një fenomen për të cilin duhet të kemi kujdes. Nuk bën të ulim standardin e listës, dhe as të Kuvendit”, tha ai.

Kurti ka kritikuar edhe Kuvendin duke thënë se ka parë vetëm përplasje banale e brutale.

“Parlamentarizmi, në vitet e fundit, ka ardhur duke u përkeqësuar. Të merr malli të dëgjosh një debat vërtet politik e përfaqësues në Kuvend, sepse më shpesh ose janë përplasje banale e brutale, ose janë diskutime të thata prej studentësh që duan të tingëllojnë si profesorë”, shprehet ai.

Ai thekson se për ta rikthyer dinjitetin e Kuvendit dhe besueshmërinë e qytetarëve në parlament, duhet që me shumë kujdes, të zgjidhen njerëzit më të mirë, të përgatitur e të pjekur politikisht, për detyrën e rëndësishme të përfaqësuesit, pra të deputetit.

“Ky është një proces për të cilin do të na duhet një bashkëpunim e një mirëkuptim, i cili fillon qysh sot. Duhet ta kthejmë në Kuvend vlerën e fjalës dhe peshën e mendimit”, ka deklaruar Kurti, njofton Telegrafi.

Exit mobile version