Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka hapur mbledhjen e sotme të Qeverisë duke folur në lidhje me procesin zgjedhor, dhe duke thënë se “qytetarët po presin nga ai t’i formojë institucionet e reja”, duke pretenduar se është “fitues i qartë i këtyre zgjedhjeve”, anise nuk e ka shumicën e nevojshme.
Kurti qysh në fillim të mbledhjes, tha se javën tjetër pritet të shpallen rezultatet përfundimtare, duke këshilluar kështu kabinetin e tij që “të vazhdojë punën”.
“Kemi hyrë në fazën finale, të procesit të numërimit të ovtave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës, sipas njoftimeve të KQZ, më së largu deri javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare.
Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë, nga ju të nderuar kabinet qeveritar, kolegë, pres të vazhdoni punët e mira me po të njëjtin ritëm” – u shpreh ai, transmeton Nacionale.
Tutje, kryeministri në detyrë i kërkoi KQZ-së “të ketë kujdes të shtuar” në mbrojtjen e vullnetit të votuesve.
“Të gjithë presim nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, demokratik me pjesëmarrje massive të qytetarëve.
Pjesëmarrje më të lart në zgjedhje pati edhe diaspora e cila votoi edhe në ambasada dhe konsullata, falenderoj bashkëatdhetarët që morën pjesë në këto zgjedhje” – tha Kurti, transmeton Nacionale.
Tashmë ka përfunduar numërimi i votave për partitë politike dhe të kandidatëve për deputet. Rezultatet mund t’i ndiqni në këtë LINK.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje ka dalë e para më 342 mijë e 281 vota, apo 40.80 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184 mijë e 811 vota apo 22.03 për qind. LDK ka dalë e treta më 147 mijë e 888 vota ose 17.63 për qind.
Koalicioni AAK-Nisma ka dalë e katërta në këto zgjedhje me 62 mijë vota.