Site icon PrishtinaPress

Kurti thotë se janë përreth, KFOR deklaron se “s’ka prova” për prezencën e grupit ‘Wagner’ në veri të Kosovës

Ka kohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për prezencë të grupit famëkeq rus “Wagner” dhe “Ujqërit e Natës” në veri, si dy prej grupeve kriminale ruse që duan ta destabilizojnë Kosovën. Mirëpo, një deklaratë e tillë nuk është konfirmuar nga KFOR, si mision i NATO-s në Kosovë që qëllim primar e ka ruajtjen e stabilitetit. KFOR thotë se nuk kanë dëshmi për prezencën e këtyre dy grupeve në veri të Kosovës.

Komandanti Antonio Ristuccia, ka thënë sot se KFOR është në dijeni për gjendjen në Kosovë, përfshirë atë në veri të vendit. Ky, tha Ristuccia, është edhe detyrë profesionale e morale që KFOR ka marrë përsipër, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Si për të dashur t’i qetësojë qytetarët lidhur me mundësinë për ndonjë sulm nga eksponentë serbë, Ristuccia theksoi se, përpos KFOR, edhe 27 aleatë të NATO-s punojnë që të sigurohet paqja dhe stabiliteti në Kosovë.

“Më lejoni ta them fillimisht, është detyrë e jona profesionale dhe morale që plotësisht ta kuptojnmë situatën. T’ia japim secilit fenomen dimensionin e duhur që ka. Dhe, më lejoni të siguroj të gjithë popullatën në Kosovë se qartë e dimë për gjithçka që po ndodh në terren. Do të doja t’ua rikujtoja të gjithëve që ne kemi në terren intelegjencën e NATO-s, kemi 27 vende, 27 aleatë të NATO-s dhe 7 vende partnere, të cilat janë plotësisht të zotuara që të na mbështesin në këtë fushë”, tha ai në një intervistë për Klan Kosova.

“Pra, kemi një pasqyrë të qartë se çfarë po ndodh”, tha tutje.

Ndërkohë, hiq më larg se dje, kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se, përreth Kosovës, ekzistojnë 48 baza operative, disa prej tyre ushtarë të grupit Wagner të Rusisë, e të tjera të “Ujqërve të Natës”.

“Serbia është bërë më agresive ndaj Kosovës pas pushtimit rus [në Ukrainë]. 48 baza operative janë përreth Kosovës, prej tyre 28 baza ushtarake e 20 xhandarmëri, ku janë parë mercenarë të Wagnerit dhe Ujqërit e Natës”, deklaroi Kurti në intervistë për “France 24”.

I pyetur se a ka prezencë të grupeve famëkeqe ruse, bazuar në deklaratat e kryeministrit Kurti, komandanti i KFOR-it tha se aktualisht nuk ekziston asnjë dëshmi për një prezencë të tillë.

“Për momentin, nuk kemi asnjë dëshmi për atë që ju i referoheni. Nuk kemi asnjë informatë për këtë. Por, jemi duke ndjekur për së afërmi zhvillimin e situatës”, u përgjigj Ristuccia.

Sidoqoftë, ai nuk e mohoi ekzistencën e grupeve kriminale serbe, për të cilat tha se Policia e Kosovës po bën një punë të mirë drejt shpërbërjes së tyre.

“Por nëse i referoheni faktit që ka grupe të krimit të organizuar të cilët janë të përfshira në aktivitetet e kontrabandimit për shembull, më lejoni të theksoj se çdo lloj detyre që ka të bëjë me zbatimin e ligjit, dhe sundimin e ligjit, është përgjegjësi e Policisë së Kosovës dhe ata bëjnë më të mirën për t’u ballafaquar me këtë çështje.” /Reporteri.net/.

Exit mobile version