Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është shprehur skeptik se punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë do të pëfundojnë pas një viti, ani pse ashtu parashihet me kontratë.
Ai ka thënë se nga përvoja në të kaluarën, nuk pret që rruga të kryhet pas 365 ditësh.
“Nga përvoja e kaluar nuk pres që kryhet, por ne e kemi bërë mobilizimin maksimal për me arritë këtë datë pra që të përfundojë për 1 vit. Jemi duke luftuar për me arritë këtë datë. Por nuk i shti duart në zjarr që kryhet, sepse ne e kryejmë shpronësimin, e bëjmë mbikëqyrjen e krejt por faktorët e paparashikushëm mund ta ndërrojnë atë 365-ditëshin”, ka deklaruar Aliu në një intervistë për Kallxo.com.
Aliu sqaroi se afati për përfundimin e punimeve sipas kontratës është 1 vit për lot-in më të gjatë sa i përket aspektit kohor, derisa shtoi se punohet paralelisht edhe për lotet tjera, por që tha se zgjasin më pak.
“A kryhet për një vit, mbetet prej dinamikës së punëve që do t’i zhvillojmë në terren. Pra 5 lote do të punohen paralelisht. Loti me kohën më të gjatë është 365 ditë, këto tjerat janë më pak. Sot një vit me kontratë kjo rrugë duhet me qenë e kryer por sado që kemi premtime mund të mos bëhet, mund të jenë elementet e motit, mund të jenë probleme të ndryshme që nuk janë parashiku”, ka thënë Aliu.
Se kjo rrugë do të kryhet për një vit e ka thënë kryeministri Albin Kurti.
“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare. Urime të gjithëve!”, shkroi Kurti.