Site icon PrishtinaPress

Kurti tha se Isufaj s’bëhet Kryeprokuror, Osmani shpejt do ta marrë vendimin

Blerim Isufaj s’do të mund të bëhet Kryeprokuror, ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti. Por vendimin për këtë pritet ta marrë Presidentja.

Në fund të këtij muaji pritet të përfundojnë arsyet pas së cilave Presidenca ka paralajmëruar se do të merret një vendim.

Vendimi i mundshëm i Vjosa Osmanit për dekretimin e Isufajt mund ta përmbyllë procesin e zgjedhjes së Kryeprokuorit, por vendimi për mosdekretim do ta niste atë edhe njëherë nga fillimi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj u vu në qendër të sulmeve nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e partisë në pushtet pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, me urdhër të kësaj prokurorie.

Isufaj ka mbi një vit që po pret një vendim nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo s’ka vendosur ende nëse do ta dekretojë ose jo Isufajn, i cili para një viti u votua unanimisht nga Këshilli Prokurorial për ta drejtuar institucionin më të lartë të ndjekjes në vend.

Por së fundmi është paralajmëruar një vendim nga Presidenca.

Pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin për Këshillin Prokurorial në fund të marsit, nga Presidenca kanë thënë se shefja e shtetit po pret përfundimin e procedurave tjera gjyqësore të kundërkandidatëve të Isufajt që ta marrë një vendim më në fund.

“Presidentja e ka sqaruar publikisht se duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë. Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani.

“Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, ka deklaruar ai.

Kurti foli në emër të Osmanit: Isufaj s’do të mund të bëhet Kryeprokuror

Pasi i etiketoi si kundërshtarë prokurorët, kryeministri Albin Kurti në një seancë të Kuvendit të enjten shprehu indinjatën e tij me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, nga ku tha se Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.

“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i quajti prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”.

Osmani pati thënë se s’e dekreton Isufajn

Presidentja Vjosa Osmani në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë dekretim nga ajo.

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.

Së fundmi, presidentja Vjosa Osmani e ka akuzuar Këshillin Prokuorial për “presion të papranueshëm dhe të paligjshëm” mbi të, lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK më 5 prill ka kërkuar që Osmani ta dekretojë me urgjencë Blerim Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit, pasi janë bërë mbi një vit që kur propozimi i tyre po qëndron pa epilog në Presidencë.

Pas kësaj, Osmani ia ka dërguar një letër kryesuesit të KPK-së, Jetish Malokut.

“Shpreh kundërshtimin tim ndaj tendencës që përmes interpretimeve të shtrembëruara të vendimeve të gjykatave në lidhje me procedurën e zhvilluar në KPK, të tentohet të vihet në lajthitje opinioni publik dhe institucioni i Presidencës”, thuhet në letrën për të cilën ka raportuar Koha.

Aty Osmani ka shkruar se e kishte informuar KPK-në se do ta priste “shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore” që kandidatët që janë ankuar të marrin përgjigje.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar ligjin për Këshillin Prokurorial, rrëzoi të paktën përkohësisht planin e Qeverisë për t’i ndërruar edhe prokurorët.

Ky ligj i përpiluar nga Qeveria ishte miratuar në Kuvend në qershor të vitit të kaluar dhe parashihte ndryshimin e përbërjes së KPK-së dhe nga kjo opozita ka supozuar se Osmani s’ka marrë ndonjë vendim duke e pritur pikërisht këtë gjë.

Por pas vendimit të Kushtetutesees, presidentja tani e ka parasysh se mosdekretimi i Isufajt do ta kthente procesin në pikën zero dhe se përbërja aktuale e KPK-së mund ta bëjë zgjedhjen e njëjtë dhe t’ia çojë sërish emrin e Isufajt në tavolinë.

Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Tri organizata joqeveritare: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kishin kërkuar presidentes që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm./PrishtinaPress/

Exit mobile version