Site icon PrishtinaPress

Kurti tha dje se Drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës – a është ky fakt pengues për Serbinë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten sërish se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, dhe një draft të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të enjten në Bruksel, mirëpo pala serbe nuk ka qenë e interesuar për diçka të tillë.

“Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim, mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim dhe vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim. Këtë ua kemi thënë shumë qartë dje, duke theksuar se Samiti i BE-së në Bruksel është ngjarja dhe vendi ku do të duhej të ndodhte kjo”, ka thënë Kurti në një konferencë për media me gazetarët.

Ai ka thënë se emisarët perëndimorë e kanë siguruar më 21 tetor se një propozim për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është shkruar me kujdes dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”.

I pyetur për hollësitë e planit të prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor, Kurti ka thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën që dokumenti të mos bëhet publik.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kurti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që Serbia të mbahet përgjegjëse për, siç ka thënë, sulmin ndaj Kosovës dhe për refuzim të nënshkrimit të marrëveshjeve.

“Pas 10 vjetëve të insistimit në Asociacion, Serbia dje ka refuzuar që të nënshkruante një draft për vetëmenaxhim, që është sjellë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në një kohë krizash të shumta, takime të nivelit të lartë tregojnë për rëndësinë që i kushton BE-ja normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Kurtit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është penduar për arritjen e pajtueshmërisë për Marrëveshjen që parasheh normalizim marrëdhëniesh, në shkurt të këtij viti.

Dy palët më pas janë pajtuar në mars për aneksin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, ndonëse asnjëri dokument nuk është nënshkruar.

“Ju e dini që në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që bënin me pararendësit e mi, ndërkaq tash nuk duan, pikërisht për shkak të përmbajtjes, dhe kuptimit që kanë tekstet e këtyre marrëveshjeve”.

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqës të Bashkimit Evropian – në margjina të një samiti të BE-së më 26 tetor – mirëpo takimet kanë përfunduar pa ndonjë rezultat.

Në konkluzionet e samitit të BE-së, blloku evropian ka bërë thirrje të premten që dy vendet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Exit mobile version