Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, ka theksuar se qytetin e Mitrovicës e ndanë ura e Ibrit, dhe jo muret.
Kurti ka pyetur kryeministrin Isa Mustafa se pse ka pranuar që rruga “Mbreti Pjetër”, të mbyllet për vetura dhe të shndërrohet vetëm në rrugë për këmbësor dhe a beson që është e mirë apo ka qenë i kushtëzuar.
Ai ka theksuar se gjatë dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë është treguar se gjërat nuk mund të bëhen pa Serbinë.
Deputeti i VV-së, është përgjigjur deklaratave të kryeministrit të vendit, i cili tha se edhe opozita do të bëhej pjesë e dialogut nëse do të ishte pjesë e pushtetit, duke theksuar se “jemi për dialog me kushte për Serbinë, jo dialog pa parime”.
“Çdo temë në Bruksel është e caktuar nga Serbia. Realisht ju kur shkoni ne Bruksel më shumë jeni temë e dialogut, se sa si palë në dialog. Jemi kundër këtij dialogu”, ka shtuar Kurti.