Site icon PrishtinaPress

Kurti të hënën shkon në Shkup për një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor, merr pjesë edhe O’Brien

Një takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes të Komisionit Europian do të mbahet në Shkup të hënën e javës së ardhshme.

Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në këtë takim, ka njoftuar zyra e tij përmes një komunikate për media.

Në takim, përveç liderëve të rajonit, do të marrë pjesë edhe Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, së bashku me James O’Brien, Ndihmës Sekretari Shtetërorë për Evropë dhe Euroazi të SHBA-ve.

Për të marrë pjesë në atë takim janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA-s dhe Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor , USAID-it, si dhe disa institucioneve financiare ndërkombëtare.

Liderët e Ballkanit Perëndimor për herë të fundit ishin mbledhur në dhjetor për samitin me Bashkimin Europian.

Në deklaratën e miratuar në fund të këtij samiti ishte bërë thirrje që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës si përgjigje ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës.

Exit mobile version