Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur në konferencë për media për takimin e kryenegociatorëve që do të mbahet të hënën e ardhshme në Bruksel.
I pyetur se a do të diskutohet për Urën e Ibrit, Kurti s’ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete specifikisht për pyetjen, por ka shtuar se do të diskutohen të gjitha pikat e marrëveshjes së Ohrit përfshrië edhe Aneksin e Implementimit.
Kurti i ka thënë gazetarës se përgjigjen për atë se çfarë do të diskutohet në Bruksel jo vetëm që e ka dëgjuar ajo por edhe zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi i cili gjendet i ulur në rreshtin e parë.
“Pesë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshjen bazë, 12 pika në aneks, dhe kjo duhet të implementohet plotësisht pa vonesa dhe pa kushte. Kjo është ajo çfarë do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel, dhe jo që më dëgjuat vetëm ju por edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi i cili është këtu në rreshtin e parë”, ka thënë Kurti.