Site icon PrishtinaPress

Kurti takon sot Escobarin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret në takim sot  Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobar. Takimi do të zhvillohet në ora 16:30, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Vizita e tij vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.

Exit mobile version