Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot për një takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad, ku mes temave të diskutuara, kanë qenë edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në takim me përfaqësuesin norvegjez, Kurti ka thënë se Kosova ka shprehur vullnetin për takime e marrëveshje duke bërë propozime konkrete, që sipas tij, dëshmon se Kosova është palë konstruktive në dialog.
“Me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Bjørnstad u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut drejt marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke, u shpreh kryeministri Kurti”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas njoftimit të ZKM-së, kryeministri Kurti ka folur edhe për punën dhe arritjet e Qeverisë, marrëdhëniet e Kosovës me Norvegjinë dhe tema të tjera.
“Krahas qeverisjes së mirë, ai veçoi indikatorët ekonomikë të cilët tregojnë për rritje të eksporteve për 29.5% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për rritje të Investimeve të Huaja Direkte për 47% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe rritje ekonomike për 4.9% në tre mujorin e parë të këtij vitit pasi të zbritet inflacioni. Kryeministri Kurti u shpreh se fokusi është te menaxhimi i krizës energjetike teksa foli për masat e ndërmarra deri tani që përfshijnë subvencionimin e konsumit të energjisë elektrike për qytetarët dhe masat për eficiencën e energjisë elektrike. Në prag të Samitit të Berlinit, kryeministri Kurti tha se shpreson për një rifillim të Procesit të Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Scholz që do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimit u bisedua për raportet e mira dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe rolit mbështetës të rëndësishëm të Norvegjisë në zhvillimin e Kosovës dhe synimet integruese euro-atlantike të Kosovës”, thuhet në fund.