Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim ministren Federale të Arsimit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Jasna Durakoviq.
Temë kryesore e takimit ishte bashkëpunimi mes dyja vendeve, jo veç në arsim por edhe në fusha të tjera që kanë interes të përbashkët.
“Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri theksoi të arriturat tona në fushën e arsimit gjatë këtij mandati qeverisës, me theks të veçantë në arsimin publik falas, por edhe përkushtimin e Qeverisë në barazinë mes të gjitha komuniteteve dhe qasjes së barabartë pa dallim, duke potencuar procesin e subvencionimit të librave për të gjithë fëmijët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kurti tha se ” janë gjithsej 2670 nxënës të komunitetit boshnjak që vijojnë mësimin nga arsimi parashkollor e deri te ai i mesëm dhe i lartë, ndërsa numri i mësimdhënësve boshnjak është 486 në tërë Republikën e Kosovës”.
Po ashtu gjatë takimit, u trajtua dhe mundësia e shkëmbimit të stafit mësimdhënës, si dhe krijimi i komisioneve të përbashkëta që do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore në gjuhën boshnjake.
Ndërkaq, ministrja Federale e Arsimit dhe Shkencës, Jasna Duraković, u shpreh e lumtur që ndodhet në Prishtinë dhe vlerësoi bashkëbisedimin me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministren Rexhepi, si dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e saj për rritjen e bashkëpunimit.
Nga ana e tij, Kryeministri i dëshiroi ministres qëndrim të frytshëm e produktiv në Kosovë, teksa e falënderoi atë për bisedën e sotme.