Site icon PrishtinaPress

Kurti takohet me ministren e Mbrojtjes së Zvicrës, flasin për rolin e KFOR-it, situatën e sigurisë e dialogun

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ministren e Mbrojtjes së Zvicrës, Viola Amherd, me të cilën bisedoi për gjendjen e sigurisë, rolin e KFOR-it, rëndësinë e Procesit të Berlinit e dialogun në Bruksel.

Në takim, Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin e Zvicrës dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, teksa falënderoi edhe për ndihmën e vazhdueshme në programet e zhvillimit të ekonomisë e demokracisë.

“Përtej bashkëpunimit bilateral në ekonomi dhe rritjes së volumit tregtar, kryeministri theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fushën e mbrojtjes”.

“Duke theksuar që Kosova është tregim suksesi i zhvillimit demokratik, ai e njoftoi Ministren Amherd me progresin ekonomik dhe demokratik të vendit tonë. Po ashtu, theksoi synimet dhe planet e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s, Këshillin e Evropës, si  dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, ministrja zvicerane, tha se shteti i saj dhe Kosova ndajnë vlera të përbashkëta, teksa potencoi rëndësinë e mërgatës nga Kosova që kontribuon në ekonominë e Zvicrës.

“Duke ritheksuar mbështetjen e Zvicrës për Kosovë dhe zhvillimin e saj demokratik, ajo tha se për Zvicrën është shumë e rëndësishme të ketë shtete stabile dhe sovrane në rajonin e Ballkanit”.

“U potencua gatishmëria e Zvicrës për të ndihmuar e asistuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për rritje të mëtejme të indikatorëve pozitivë ekonomik”, është shprehur Amherd./Prishtinapress/

Exit mobile version