1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Kurti takohet me mërgatën në Irlandë, u flet rreth planeve për kthimin e trurit dhe bashkatdhetarëve në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Irlandë, ku është takuar me mërgatën atje.

Gjatë takimit me ta, Kurti ka thënë se Qeveria e ka obligim që ta vendosë mërgatën në pozicion më të volitshëm dhe të eksplorohen format e mundësitë për bashkëpunim, derisa ka përmendur Fondin Sovran.

Tutje, thuhet se në takim u trajtuan në hollësi programet, planet e objektivat e Qeverisë, të cilat synojnë kthimin e trurit dhe bashkatdhetarëve në atdhe.

“.Kryeministri Kurti theksoi se diaspora jonë janë ambasadorët tanë më të mirë, që shpërfaqin atë se çfarë përfaqëson Kosova, vlerat unike dhe zellin e punës. U trajtuan në hollësi programet, planet e objektivat e Qeverisë, të cilat synojnë kthimin e trurit dhe bashkatdhetarëve tanë në atdhe. Diaspora ka kontribuar e vijon të kontribuojë për Kosovën, dhe si Qeveri e kemi obligim që ta vendosim mërgatën në pozicion më të volitshëm e të eksplorojmë format e mundësitë për bashkëpunim. Mes shumë iniciativash, kryeministri përmendi edhe Fondin Sovran”, thuhet në njoftim.

Fondi Sovran synon të menaxhojë pasurinë më të rëndësishme publike të Kosovës, ku hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Me themelimin e këtij fondi, është paraparë edhe shuarja e AKP’së.

Ligji për themelimin e këtij fondi është miratuar në fund të dhjetorit, por edhe vetë kryeministri Albin Kurti e kishte pranuar se miratimi i Ligjit është vetëm hapi i parë dhe se duhet edhe shumë punë, derisa kishte shtuar se me këtë vendim Kosova vendoset në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.

“Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit”, kishte thënë Kurti.

Për ta funksionalizuar këtë fond, Kurti kishte deklaruar se do të punojnë me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

“Ligji është vetëm hapi i parë, meqë Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran. Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë”, kishte shkruar Kurti në Facebook, ditën kur ishte miratuar Ligji për Fondin Sovran.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img