Site icon PrishtinaPress

Kurti takohet me kryesuesin e OSBE-së, Rau, flasin për progresin në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zbigniew Rau, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë. 

Në takim u diskutua për avancimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, si dhe paqen e sigurinë në rajon dhe Evropë.

Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin për përkrahjen e Polonisë në misionin e KFOR-it, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit europian dhe euroatlantik. 

Ai e njoftoi ministrin e jashtëm polak për progresin në një vit qeverisje, rritjen ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e investimeve të huaja direkte për 22 për qind, të hyrave tatimore për 54 për qind, rritjen e eksporteve për 83,6 për qind në fushat e procesimit të lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe të sektorit të teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit.

Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi  pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale.

Ai veçoi potencialin njerëzor që ka Kosova, e që bazohet në rininë kreative, dhe tha se nxitjen dhe përkrahjen e aplikuesve të inovacioneve dhe teknologjisë Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh si prioritet dhe rrugë drejt zhvillimit shoqëror dhe ekonomisë së qëndrueshme.

Kryeministri e potencoi edhe vendosmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, që siç tha ai, edhe presidenti i ShBA-së, Biden, i ka cilësuar rrezik për sigurinë kombëtare të çdo vendi.  

Ministri Rau lavdëroi reformat progresiste dhe ruajtjen e harmonisë sociale, duke i vlerësuar si rrugën e duhur të qeverisë. Ai vuri theksin te raportet miqësore dhe domosdoshmëria e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve të kompanive polake. Ndërsa në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, shprehu gatishmërinë e organizatës për të ndihmuar në reformën zgjedhore. 

Duke folur për sfidat në procesin e dialogut me Serbinë kryeministri Kurti theksoi qasjen e vazhdueshme konstruktive në dialog dhe gatishmërinë për të diskutuar për një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë dhe nga e cila përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

U potencua rreziku për destabilizim të rajonit pas invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak në Ukrainë dhe të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që zhvillimet aktuale politike duhet të vëzhgohen me vigjilencë dhe gjithnjë në funksion të paqes dhe shpresës për të ardhmen.       

Ministri i jashtëm i Polonisë, Rau, e përgëzoi kryeministrin Kurti për angazhimin dhe solidarititetin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës, me vendosjen e sanksioneve dhe ofrimin e strehimit për 5000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas.

Exit mobile version