Site icon PrishtinaPress

Kurti takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me dy anëtarë të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës.

Gjatë vizitës në Sarajevë, ai zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq.

“Falënderoj kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës. Vlerësojmë një hap të tillë të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe, për këtë arsye, të pazakontë. Ky veprim sigurisht do të kontribuojë në lidhjen më të mirë të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimeve të ndërsjella tregtare”, ka shkruar Komshiq në Facebook pas takimit me Kurtin.

Takimi ndërmjet Komshiqit dhe Kurtit

Kurti nisi vizitën në Sarajevë më 5 dhjetor dhe gjatë qëndrimit në Bosnje do të mbajë edhe një fjalim në një konferencë për raportet rajonale që organizohet nga “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.

Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cijanoviq.

Komshiq tha se kritikat e pretenduara lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga entiteti i Republikës Sërpska (RS), si dhe nga rajoni, “më kujtojnë se RS-ja nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS-ja nuk ka kompetenca për lëshimin e vizave për hyrjen në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

Ai shtoi se kritikat që vijnë nga vendet e rajonit i konsiderojmë si një provë tjetër të qartë të përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe si presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të vendit tonë në udhëheqjen e politikës së jashtme.

“Po ashtu, anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës sigurisht nuk do të pyesin as [udhëheqësin e serbëve në Bosnje, Millorad] Dodikun, as këdo tjetër, se me kë do të takohemi dhe për çfarë do të diskutojmë”, raporton REL. 

Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga kreu i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.

“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik , sipas raportimit të Srnas.

Për shkak të vizitës së Kurtit në Sarajevë, më 5 dhjetor ministrat nga Republika Sërpska thanë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Exit mobile version