1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Kurti: Sportin ta kthejmë në kulturë të shoqërisë

Është përmbyllur ngjarja dy ditore “Tryeza e Sportit”, ku akterët më të lartë vendor të komunitetit sportiv, diskutuan tema të ndërlidhura me këtë fushë.

Në vazhdën e diskutimeve u arritën disa përfundime dhe pajtueshmëri, të cilat do të ndihmojnë në orientimin e qeverisë dhe komunitetit të gjerë sportiv drejt zhvillimit të mëtejmë të sportit në vend.

Sipas një komunikate të MKRS-së, ndër pikat për të cilat palët u pajtuan për të vazhduar më tutje ishin hartimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin e sportit, mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe integrimit të të gjitha palëve të interesit në vend.

“Si hap fillestar për hartimin e startegjisë, të pranishmit u dakorduan për rëndësinë e procesit të analizës së gjendjes ekzistuese të sportit, e cila do të fokusohet mbi dy shtylla kryesore: grumbullimi dhe përpilimi i bazës së të dhënave në sektorin e sportit dhe në infrastrukturën fizike sportive. Procesi i përpilimit të bazës së të dhënave, i cili do të filloj gjatë këtij muaji, do të bëhet në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe organizatave tjera qeverisëse të sportit në Kosovë. Në temën e Sportit për të gjithë, me fokus të veçantë u adresua procesi i integrimit të aktiviteti fizik dhe sportiv në sistemin e arsimit në Kosovë”. 

“Përpos rëndësisë që kjo luan për zhvillimin e një shoqërie të shëndosh, me këtë qasje synohet të ndërtohet edhe sistemi i identifikimit të talentëve të rinj në sport dhe shndërrimi i sportit në kulturë shoqërore. Për këtë, të pranishmit u dakorduan për inicimin e hartimit të programit “Sporti në shkolla”, proces për të cilin do të nevojitet koordinimi dhe bashkëpunimi i thellë mes organizatave sportive dhe ministrive të linjës. Përtej kësaj, të pranishmit u dakorduan që në kuadër të këtij programi të rëndësisë së veçantë të adresohet edhe qasja, përkrahja dhe ofrimi i mundësive të barabarta edhe për personat me aftësi të kufizuar. Një temë tjetër me rëndësi, ishte tema e Sportit Elitar, që ka të bëjë me ngritjen e rezultateve sportive në nivel shtetëror dhe përfaqësimi i sportit në arenën ndërkombëtare. Të pranishmit u pajtuan se me prioritet të lartë duhet trajtuar ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, i trajnerëve, stafit ndihmës – mjekë sportiv, fizioterapeut, psikolog, nutricist – e të tjera profile deficitare dhe të nevojshme për përgatitjen maksimale të sportistëve vendor”. 

“Në lidhje me infrastrukturën fizike, fokusi duhet përqendruar në identifikimin dhe adresimin e nevojave emergjente në infrastrukturë, e më pas në investimet e mëdha të interesit nacional. Si fillim u dakordua që të krijohet një pasqyrë e qartë rreth gjendjes në teren, duke marrë parasysh shpërndarjen hapësinore të infrastrutkurës ekzistuese, demografinë në ato zona, kërkesat dhe nevojat. Në përfundim të kësaj analize, u dakordua të organizohet një takim i përbashkët ku do të diskutohet rreth orientimit strategjik për investime kapitale në fushën e sportit”, thuhet në komunikatë.

Pika e fundit për të cilën u diskutua gjatë këtyre dy ditëve, ishte diplomacia sportive. Përtej diskutimeve rreth rëndësisë dhe rolit të diplomacisë sportive për shtetin e Kosovës, të pranishmit u dakorduan që bashkarisht të hartojnë protokolle specifike të cilat do të udhëzojnë organizatat sportive për pjesëmarrje dhe përfaqësim në garat ndërkombëtare. Poashtu u diskutua rreth rëndësisë së organizimit të ngjarjeve dhe aktiviteteve të natyrës ndërkombëtare në vendin tonë për promovim dhe zhvillim të diplomacisë sportive.

Në përmbyllje të tryezës dy ditore, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin, Kurti, për të ritheksuar vëmendjen dhe dedikimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e sportit. Kryeministri ndër tjerash foli për rëndësinë e masivizimit dhe shkëlqimit në sport.

“E para do ta shndërroj sportin në kulturë të shoqërisë, me ndikim në shëndetin publik. Ndërsa e dyta, do ta bëjë diplomacinë sportive të suksesshme përmes të arriturave të larta në arenën ndërkombëtare”, tha Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img