Site icon PrishtinaPress

Kurti sot shkon në Burgun e Dubravës, aty ku ndodhi krimi me të burgosurit 24 vjet më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot viziton Qendrën Korrektuese të Dubravës, me rastin e 24-vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës.

Vizita e Kurtit pritet të zhvillohet në orën 10:00.

Kujtojmë se ​24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviq.

Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë

Në maj të vitit 1999, ndodh një krim i planifikuar i pushtetit serb në burgun e Dubravës. Ky burg i sigurisë së lartë, gjatë luftës së fundit në Kosovë përdoret edhe nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë. Meqë pushteti serb kishte informata se do të bombardohet ky kompleks, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës sillen të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte i qartë: që ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Në këtë burg do të ndodhin krimet më makabre që mund të përshkruhen më së miri me fjalët e Mustafë Kolgecit, një prej të mbijetuarve të kësaj masakre: “Nuk ka shkrimtar, nuk ka poet, nuk ka regjisor që mund të ilustrojë ato tmerre. Kishte çaste kur vdekja, krahasuar me jetën në burg, dukej shumë më e mirë”.

Sipas burimeve të huaja, të gazetave dhe organizatave të ndryshme botërore, në orën 1 e 15 minuta të 19 majit ndodh sulmi i parë i NATO-s – siç thuhej nga zyrtarët e NATO-s atëherë, mbi forcat policore dhe ushtarake në burgun e Dubravës. Gjatë këtij sulmi vriten katër civilë, tre të burgosur dhe një gardian, ndërsa lëndohen dy të tjerë. Sulmin mbi këtë objekt, propaganda serbe – në krye me Tanjugun – tenton ta shfrytëzojë për qëllime të veta: për ta akuzuar NATO-n për të gjitha viktimat e Dubravës. Atë kohë Tanjugu raporton se “ka frikë nga rritja e paparashikuar e viktimave”. Kjo është deklarata e parë që i paraprin rritjes drastike të viktima në Dubravë.

Në sulmin e dytë të NATO-s mbi burgun e Dubravës, rreth orës 8:10-10:25 të 21 majit, vriten 19 të burgosur dhe shumë të tjerë lëndohen. Qeveria “jugosllave” raporton për 19 të vrarë në Shtëpinë Korrektuese të Dubravës dhe për më shumë se dhjetë të lënduar “lehtë e rënd”. Ata raportojnë për 24 projektilë të hedhur që shkaktojnë “dëme të mëdha tek shumica e objekteve të Shtëpisë Korrektuese”. Ndërkaq, më 25 maj shtypi “jugosllav”, duke cituar Tanjugun, raporton se “në bombardimet disaditëshe në Shtëpinë Korrektuese të Istogut, rreth 100 të burgosur vdesin dhe 200 të tjerë lëndohen”. Këtë deklaratë Tanjugu e lëshon dy ditë pasi që në burgun e Dubravës forcat serbe ekzekutojnë mbi 100 të burgosur. Pra, kjo është edhe një dëshmi se regjimi serb bombardimet e NATO-s i ka shfrytëzuar për qëllime të veta.

TANJUGU MASAKRËN IA VESH NATO-s

Më 27 maj Tanjugu citon Vladan Bojiqin, gjykatës në Gjyqin e Qarkut të Pejës, që thotë se 96 kufoma janë tërhequr nga gërmadhat dhe se 40 të lënduar tjerë janë në gjendje shumë të rëndë. Më 29 maj qeveria “jugosllave” deklaron se “numri i viktimave në Shtëpinë Korrektuese të Istogut po shtohet. Nga 196 sa janë lënduar në bombardimin vandal mbi këtë institut, tre kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë tërhequr nga shkatërrimet. Kërkimi i të vdekurve ende po vazhdon”. Më 30 maj Tanjugu raporton edhe për shtatë trupa të tjerë të gjetur të vdekur, duke e sjellë numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 93.

Këto ishin versionet serbe për viktimat e Dubravës, që të vetmet atë kohë kishin qasje në këtë burg. Në të gjitha raportimet që i jep Tanjugu, asnjëherë nuk pranohet përgjegjësia për masakrën e më shumë se 100 të burgosurve. Natyrisht, ngase kjo masakër ishte e planifikuar për të eliminuar një numër të madh shqiptarësh dhe për të njollosur misionin e bombardimeve të NATO-s. Në këtë kontekst nuk duhet harruar se më shumë se 100 të burgosur të Dubravës ishin joshqiptarë dhe çuditërisht, të gjithë ata u shpëtuan bombardimeve të NATO-s.

Mirëpo, këto deklarata, menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe, bien ndesh me realitetin. Human Rights Watch, në një raport të saj, konsideron se forcat “jugosllave” janë përgjegjëse për shkaktimin e vdekjeve më të mëdha që ndodhën pas bombardimeve. Në bazë të hulumtimeve të pavarura nga kjo organizatë, shumica e të cilave janë bërë në bazë të rrëfimeve të dëshmitarëve, të burgosurit janë rreshtuar pranë mureve të Shtëpisë korrektuese pas sulmit të 21 majit. Pas këtij rreshtimi, sipas tyre, ka pasuar ekzekutimi dhe vrasja e më shumë se 80 vetave.

Në një version të sajin, që bie ndesh me deklaratat se të gjithë të burgosurit shqiptarë janë vrarë nga bombardimet e NATO-s, Qeveria “jugosllave” arsyetohet se shumica e të burgosurve kanë tentuar të ikin gjatë bombardimeve dhe se gardianët janë përleshur me ta. Pra, sipas këtij versioni ndodh që një numër i të burgosurve janë vrarë pasi që gardianët “mbanin rregull”. Mirëpo, e vërteta, në bazë të raportit të Human Wright Watch dhe dëshmitarëve, është se qindra të burgosur rreshtohen në fushën sportive të burgut. Pas disa minutave mbi ta fillojnë të shtënat me granata nga muret dhe karakollët e burgut, që vrasin së paku 70 të burgosur. Ndërsa, në 24 orët e ardhshme, rojet e burgut, forcat policore dhe paramilitarët sulmojnë të burgosurit që janë fshehur në pjesët e padëmtuara të burgut, në bodrume dhe puseta kanalizimi, duke vrarë kështu edhe 20 të tjerë.

NATO DUBRAVËN E KONSIDERON CAK LEGJITIM TË SULMIT

Gazetarët e huaj që vizitojnë Burgun e Dubravës më 21 maj raportojnë se kanë parë të vdekurit në rresht për 10 apo 20. Ndërkaq, në një vizite tjetër pas ekzekutimit të 22 majit, Jacky Rowland, gazetar i BBC-së, në një raportim të tij thotë se nuk e ka të qartë se si të gjitha ato viktima kanë vdekur: “…Na thanë se ata kanë vdekur prej të premtes e deri të dielën. Por, nuk ishte e qartë se si të gjithë ata e gjetën vdekjen, si dhe pse të gjithë ata ishin në një dhomë relativisht të padëmtuar”.

Washington Post, menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, në një artikull për Dubravën, shkruan: “Vizitat e pasluftës në burg, nga gazetarët, dëshmojnë se të burgosurit janë vrarë pas bombardimeve”.

Pra, versionet e gazetarëve serbë edhe këtë herë nuk arritën të bindin opinionin e huaj. Mirëpo, ende mbeten të paqarta shkaqet, arsyet që kanë shtyrë NATO-n të bombardojë dy herë burgun e Dubravës. Atë kohë, më 21 maj, në konferencat e rregullta për shtyp, zyrtarët e NATO-s deklarojnë se kanë bombarduar “në afërsi të burgut, në Istog, barakat dhe objektet e Policisë dhe të Ushtrisë ‘jugosllave’ që kanë bërë spastrimin etnik të popullatës së Kosovës”. Më 22 maj, zëdhënësi i NATO-s, koloneli Conrad Freytag, thotë se burgu ishte në listën e goditjeve si “burg i pabanuar, me fushë ajrore dhe pajisje ushtarake të përdorura nga forcat militare, forcat tokësore serbe dhe Policia speciale”. Ai thotë se NATO-ja ka bombarduar një “kompleks të gjerë” dy herë më parë dhe se “ka shkaktuar dëme të mëdha”.

Edhe para bombardimeve të NATO-s, sipas dëshmive të shqiptarëve, shumë forca serbe të angazhuara në sulme kundër civilëve ishin të vendosura në burgun e Dubravës. Këto forca kishin edhe helikopterë në dispozicion. Edhe KDOM-i atë kohë ka vërejtur se aksesi në rrugët drejt burgut, shumë lehtë mund të përdoret si zonë aterruese. Sipas burimeve shqiptare, në burgun e Dubravës ishin të dislokuara forcat paramilitare speciale të kriminelit Frenki. Kjo edhe ishte arsyeja pse serbët largojnë nga ky burg pjesën më të madhe të të burgosurve.

DUBRAVA – BAZA MË E FORTË SERBE NË DUKAGJIN

Para bombardimeve, shumica e të burgosurve shqiptarë nga ky burg, si dhe shumë burgje tjera të Kosovës, barten në burgjet e Serbisë. Mirëpo, prej prillit 1999 bëhet ekstradimi i tyre në burgun e Dubravës. Kjo si duket bëhet me qëllim të caktuar, pasi që burimet e NATO-s ishin të informuara për shfrytëzimin e burgut nga Ushtria, Policia dhe paramilitarët serbë. Në burg vendosen paramilitarët e Frenkit, por edhe “Tigrat” e Arkanit dhe forcat e rregullta ushtarake dhe policore.

Dubrava ishte një prej bazave më të forta serbe në Rrafshin e Dukagjinit, prej nga do të komandohen, siç thonë disa burime, rreth 30 mijë ushtarë. Pra, pikërisht këto ishin arsyet pse numri i të burgosurve prej 254 vetash, sa ishin deri më 24 mars, shtohet në 950 të burgosur politikë, ordinerë, por edhe të kidnapuar në mënyrë arbitrare.

Më 19 maj kryhet bombardimi i parë i NATO-s mbi Dubravë. Por, mbetet ende e paqartë e dhëna se si objektet e komandës, para bombardimeve, zbrazen nga serbët. Nga kjo lind dyshimi mos forcat serbe në Dubravë kanë pasur ndonjë pikë përgjimi. Goditja mbi burgun e Dubravës (njëri prej 12 goditjeve të NATO-s që u shfrytëzuan nga propaganda serbe për shkak të viktimave të padëshiruara në civilë), ishte një prej temave që u ka shkaktuar kokëçarje të mëdha zyrtarëve të NATO-s në Bruksel. Atë kohë, pyetja kryesore që u shtrohej zëdhënësve ushtarakë të NATO-s ishte se a ka ditur shërbimi informativ i Aleancës për të burgosurit shqiptarë në burg.

E vetmja fotografi, e cila është përdorur gjatë asaj kohe në konferencat për shtyp, ishte një incizim i marrë nga televizioni serb, sipas të cilit kishin pësuar edhe disa të burgosur. Në NATO ishte e pamundur të sqarohet se si ka ndodhur që të pësojnë ata. Në konferencat për shtyp të zyrtarëve të NATO-s nuk jepeshin sqarime se a ka ditur NATO-ja apo jo për të burgosurit shqiptarë. Koloneli Freytag as sot nuk jep sqarime përkitazi me këtë problem.

Nga bombardimet e NATO-s në mbi burgun e Dubravës vriten 24 të burgosur. Vdekja e tyre vjen si rezultat i lëndimeve nga pjesët e rrënuara të ndërtesës, por edhe nga gjakderdhja. Mirëpo, numri më i madh i vdekjeve shkaktohet më 22 maj, pas ekzekutimit masiv që forcat serbe e bëjnë tek të burgosurit shqiptarë.

Më 22 maj, në ora 5 e 40, komandanti i burgut ka urdhëruar të dalin të burgosurit në fushën sportive. Ata urdhërohen të radhiten në rreshta dhe pastaj mbi ta fillojnë të shtënat nga predhat, plumbat dhe bombat e dorës. Sipas dëshmitarëve – sipas të dhënave me të cilat disponon NKMDLNJ e Istogut – aty vriten 130 veta. “Në fushën e sportit vriten 130 veta. Por, ky numër nga pasojat e lëndimeve rritet”, thotë Ejup Kameraj, kryetar i Këshillit. Mirëpo, ç’është e vërteta, rrallëkush nga të burgosurit e din numrin e saktë të të vrarëve gjatë këtij ekzekutimi. Blerim Krasniqi (1977) në një dëshmi të tij thotë: “Na kanë ftuar të dalim jashtë fushës ku kemi fjetur dy netët e fundit. Na kanë thënë se për shkak të sigurisë do të na transferojnë në burgun e Nishit. Pas urdhrit që dha komandiri Aca, papritmas filluan gjuajtjet me armë zjarri, me bomba dore, minahedhës etj. Nga këto sulme u vranë 70 të burgosur shqiptarë…”. Ndërsa, sipas një dëshmie tjetër të Musa Krasniqit, gjatë këtij ekzekutimi vriten 110 veta. Enver Hashani, në një rrëfim të publikuar kohë më parë në javoren “Zëri”, thotë se numri i të ekzekutuarve ishte 130.

NGA DUBRAVA LARGOHEN 650 TË BURGOSUR

Ekzekutimi i të burgosurve bëhet nga largësia 15-20 metra. Këtë e dëshmon edhe raporti i ekspertëve të patologjisë spanjolle, që bën ekshumimin e kufomave të masakrës së Dubravës. Ndërkaq, në puseta të kanalizimit ekzekutimi bëhet në afërsitë prej 1-2 metra. Numri i përgjithshëm i të vrarëve në Dubravë, sipas Ejup Kamerajt, është 170. Mirëpo, sipas një dëshmie tjetër, ndoshta më e sakta nga gjithë të tjerat (e Bajrush Xhemajlit, dëshmitari i masakrës së Dubravës), numri i përgjithshëm i të vrarëve është 120.

Bartja e të burgosurve nga Dubrava në Lipjan bëhet me tetë autobusë dhe katër kamionë të vegjël për të plagosurit. Sipas dëshmitarëve, në secilin autobus ishin nga 80 të burgosur, ndërsa në kamion nga 10 të plagosur. Pra, numri i përgjithshëm i të burgosurve të gjallë ishte 640. Në punktin e fundit nga Istogu, një i burgosur dëgjon një serb tek thotë se 650 veta shkojnë në Lipjan. Pra, numri i atyre që i shpëtuan masakrës ishte rreth 650. Ndërsa, nëse nga numri i përgjithshëm prej 950 të burgosurve sa ishin në fillim të bombardimeve, afro 800 thuhet se ishin shqiptarë, numri i të vrarëve në Dubravë arrin shifrën prej 150 vetash.

Kufomat e masakrës së Dubravës janë gjetur në fshatin Rakosh. Numri i kufomave të gjetura është 97. Prej tyre nga patologët spanjollë janë identifikuar 39 veta, ndërsa nga anëtarët e familjeve dhe aktivistëve të KMDLNJ-së 24. Pra, janë gjithsej edhe 34 kufoma tjera të paidentifikuara. Këto kufoma janë të varrosura në Rakosh.

Exit mobile version