1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Kurti sot nuk u shpreh kundër Asociacionit, thotë se Shefi i stafit të tij do të flasë në Ambasadë

Diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ka nisur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Liderë të opozitës, pjesëtarë të shoqërisë civile e diplomatëve po marrin pjesë në takimin e organizuar nga SHBA-ja. Kurti atje i ka çuar edhe një përfaqësues të kabinetit të tij dhe tre ministra. Sot, kryeministri nuk deshi të flasë shumë dhe nuk e shprehu qëndrimin e zakonshëm kundër Asociacionit. Presidentja Vjosa Osmani, ndërkaq, u shpreh shumë optimiste.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot nuk e pa të nevojshme të deklarohet kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla bënë homazhe te shtatorja e Zahir Pajaziti, në 26 – vjetorin e rënies së tij, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Nga sheshi që e mban emrin e komandantit të UÇK-së në kryeqytet, kryediplomatja do të nisej drejt lagjes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lagjen Arberia/Dragodan, ku nga ora 10:00 ka nisur një takim ku po diskutohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Aty shkuan edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Do të thotë do të kemi vetëm deklaratë për media. Nuk do të ketë pyetje”, paralajmëroi dikush, kur gazetarët ua drejtuan mikrofonët krerëve të shtetit. Pas deklaratave të tyre, ata sigurisht kishin planifikuar të bënin pyetje rreth ngjarjes kryesore të ditës së sotme, pra, Asociacionit.

Pas një insistimi, gazetarët arritën t’ia nxjerrnin disa fjalë Kurtit. Ai nuk deshi ta komentojë takimin e thirrur nga SHBA-ja, ku po merr pjesë edhe shefi i kabinetit të tij, Luan Dalipi. Shkurt, tha: 

“Në këto minuta ka filluar takimi dhe besoj që ata që janë në takim do ta thonë fjalën e tyre. Atje ndodhet shefi i stafit tim dhe shefi i stafit të Presidentes”, deklaroi ai.

Presidentja më optimiste

Presidentja Vjosa Osmani, u pyet gjithashtu për takimin në Ambasadën Amerikane.

Sikur Kurti, edhe ajo foli shkurt, por u duk më optimiste sesa kryeministri.

“Gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë”, tha shkurtimisht Osmani.

Dy përfaqësues nga Presidenca, po marrin pjesë gjithashtu në këtë takim.

Deri para pak ditësh, Kurti është shprehur pahezitueshëm kundër Asociacionit.

Të hënën, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor publikuan një shkrim të përbashkët në “Koha.net” me titullin “Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Kjo nxiti reagimin me kundërshti të disa anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në diskutimin e sotëm të organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë po marrin pjesë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, liderë të partive politike dhe diplomatë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img