Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u zotua sot se këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret për viktimat e dhunës.
Kështu u shpreh ai në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, me ç’rast, u shpreh se për vite me radhë ka qenë shqetësuese numri i grave të dhunuara.
Shefi i ekzekutivit theksoi se secila përpjekje për drejtësi hap shtigje për emancipim dhe solidaritet.
“Një hap i madh për drejtësi është rdhe ky traktat. Ne si qeveri kemi marrë përsipër obligimet që parasheh Konventa e Stambollit dhe ky angqzhim i yni mbështet në një synim që çdo vajzë të rritet, duke u ndjerë e sigurt. Përgjigje institucionale, mbrojtje dhe trajtim, shërbime të shpejta dhe cilësore si dhe llogaridhënie institucionale. Kemi mundësuar ndihmë juridike falas pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike”, tha Kurti.
Derisa përmendi hapat e ndërmarrë, Kurti shtoi se këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret që trajtojnë viktimat e dhunës.
“Këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret për viktimat e dhunës. Ndonëse, janë 38 qendra për punë sociale dhe ato ofrojnë më shumë se 70 shërbime, në të kaluarën nuk është dhënë vëmendja e duhur. Grupi punues po bën një analizë për kapacitetet njerëzore. Korniza ligjore duhet të shoqërohet me rritje te cilësisë, financim të qëndrueshëm. Duhet të adresohen të drejtat e grave. Në këto dy vite, kemi ndërmarrë hapa konkret për një Kosovë të barazitimtare mes burrave e grave”, tha ai.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se dhuna ndaj grave është një fenomen i rëndë, që i paraprin trajtimi i pabarabartë që nga fëmijëria.
“Gratë dhe vajzat janë shpesh viktima të formave të ndryshme të dhunës. Ashtu siç e kërkon Konventa e Stambollit këto forma të dhunës duhet të kanalizohen. Ofrimi i shërbimeve duhet të bëhet nga profesionistë. Dhuna po raportohet, por jo në masën e duhur. Nuk mund te durojmë më raste te dënime minimale ose kur neglizhohen nga policia, prokuroria dhe gjykata”, theksoi ajo.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se janë duke punuar nga viti 2016 në fushën e luftimit të dhunës ndaj grave.
“Në Këshillin e Evropës, jemi të gatshëm që ta përkrahim këtë. Ka shumë prani të ndërkombëtarëve në Kosovë që janë duke punuar në këtë. Kjo paraqet pikat kryesore që shoqëria civile luan ndaj luftimit të dhunës ndaj grave. Shoqëria civile besoj që do të vazhdojë të bëjë presion ndaj qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky raport do të botohet në raportin Grevio”, u shpreh ai./PrishtinaPress/