Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti, Hashim Thaçi, asnjëherë nuk i ka ndalur negociatat sekrete me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se për këtë është i bindur që ekziston një marrëveshje sekrete mes dy presidentëve.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka theksuar se ashtu siç është Qeveria e re, duhet të ketë edhe një president të ri.
“Siç kemi Qeveri të re, mbase duhet të kemi edhe president të ri. Unë nuk jam anti-amerikan, unë jam kundër anti-amerikanëve. Por më duhet ta them një gjë, presidenti është anti-evropian. Pikërisht në kohën kur presidenti aktual deklarohet hapur si anti-evropian, disa më akuzojnë mua padrejtësisht si antiamerikan. Ai vetë tha jam anti-evropian. Unë jam edhe pro amerikan edhe pro evropian. Unë besoj në lidhjen Trans Atlantike. Ai u deklarua si anti-evropian dhe filluan sulmet e akuzat, shpifjet për mua si anti-amerikan. Unë i dua edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimin Evropian, na duhen të dyja. Pa ShBA nuk ka NATO, pa NATO nuk ka siguri as në Evropë se lëre më në Ballkanin tonë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se zëvendësimi i taksës 100 për qind me masën e reciprocitet është qëndrim normal.
“Mbajtja e tarifës 100 për qind siç është pa reciprocitet është pozicion ekstrem. Pra të thuash tarifë 100 për qind, dhe të thuash që nuk e qaj kokën për asgjë është pozicion ekstrem. Edhe heqja e plotë e tarifës 100 për qind pa e përmendur fare reciprocitetin është po ashtu pozicion ekstrem. Ne duhet të jemi kundër këtyre ekstremeve, ne duhet të jemi normal. Dhe unë jam i bindur që ka një qëndrim normal dhe ky është zëvendësimi i tarifës me reciprocitet. Negociatat sekrete nuk janë ndalur asnjëherë, si kryeministër kam më shumë informacione se sa kur isha kryetari Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar kryeministri Kurti.