Site icon PrishtinaPress

Kurti: Shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e mbrëmshme të një 35 vjeçare shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

E njëjta dyshohet se u vra nga ish-burri i saj me të cilin kishin qenë të ndarë tash e disa muaj.

Kurti përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur, duke shtuar se beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.

Ai tha se dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.

Tutje, kryeministri ka thënë se duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”.

“Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vjen nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan. Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje”, ka shkruar Kurti./Prishtinapress/

Exit mobile version