Site icon PrishtinaPress

Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-kryetarit të Pejës Ali Lajçi

Ka vdekur ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi.

Për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar për biografinë e Lajçit, tashmë të ndjerë

“I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Bacës Ali, politikanit Ali Lajçi! I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Emri i Ali Lajçit haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. U lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur”.

Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nëshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës. Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij”, ka shkruar Kurti.

Exit mobile version