Site icon PrishtinaPress

Kurti shpjegon në detaje çka i tha Lajçakut dje në takim: Kisha një vërejtje, një korrigjim dhe një pajtim

Albin Kurti ka thënë se i ka dhënë një vërejtje BE-së për ndëshkimin e Kosovës, është pajtuar për zgjedhje të parakohshme në veri dhe ka korrigjuar një deklaratë të Jose Borrellit, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, për operacionet policore në veri. 

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar pozitiv takimin e djeshëm të tij me emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Kurti ka thënë se me përshtypje pozitive nga takimi doli të martën edhe emisari Lajçak.

“Takimi i djeshëm, për bindjen time ka qenë pozitive. Me aso përshtypje ka dal nga takimi edhe emisari Lajçak. Do të ketë bisedime edhe me zëvendësin tim, Z. Besnik Bislimin”, tha ai.

Kryeministri tha se e ka siguruar Lajçakun se Qeveria e Kosovës nuk kontribuon në de-eskalim të gjendjes në veri. Tha se e ka korrigjuar kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, lidhur me deklaratën e tij për “operacionet policore në rrethinat e komunave në veri”.

“Takimin e djeshëm që kemi pasur me emisarin Miroslav Lajçak, që në fakt është emisari i z. Josep Borrell, kemi diskutuar për dy tema: edhe de-eskalimin, edhe normalizimin. Sa i përket de-eskalimit, unë i kam siguruar Lajçak dhe Borrell se Qeveria e Kosovës kurrsesi nuk kontribuon në eskalim asnjëherë. Gjithashtu i kam siguruar se policët të cilët janë në komunat në veri të vendit tonë, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethinat e atyre ndërtesave. Sepse në komunikatën e lëshuar nga z. Borell nga Moldavia, thoshte se në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacione të Policisë së Kosovës, unë edhe një herë ua konfirmova që nuk ka operacione të tilla”, tha Kurti.

“Gjithashtu, unë kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në komunat në veri”, deklaroi Kurti.

Duke folur para gazetarëve të mërkurën, Kurti ka deklaruar se i ka dhënë një vërejtje Lajçakut për vendosjen e masave ndëshkuese nga BE-ja kundër Kosovës.

“Takimin natyrisht e kam zhvilluar me vërejtjen time se masat ndaj Kosovës janë të padrejta, ndonëse thuhet se janë të përkohshme, meqenëse Kosova nuk mban asnjë faj, as për eskalim të gjendjes dhe as për mos-normalizim të raporteve”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit, faji për de-eskalim dhe mos-normalizim të raporteve nuk i përket Kosovës, por Serbisë.

“Sa i përket normalizimit, unë po e vë theksin te fakti i zbatimit të marrëveshjes sepse kemi marrëveshje. Në fakt ne nuk kemi zgjidhje sepse nuk kemi zbatim të marrëveshjes dhe këtu Kosova nuk ka kurrfarë faji, sepse ne kemi shprehur gatishmëri ta zbatojmë marrëveshjen”, tha Kurti.

Exit mobile version