Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka shpalosur sot programin e tij qeverisës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen më 9 shkurt.
Shpalosjen e programit qeverisës, Kurti e bëri dy javë pas nisjes së fushatës. Ai ka shpalosur 25 zotime, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti tha se do të rrisin pagat, pensionet e mbështetjen sociale.
Kurti tha se me Bankën Zhvillimore do të mbështeten bizneset. Për veturat e importuara nga BE-ja, Kurti tha se do të hiqet taksa doganore prej 10 përqind.
Kurti tha se do ta krijojnë valutën digjitale të Kosovës, e bazuar në blockchain, e krijuar nga shteti që do të përdoret për pagesa. Për transportin publik, Kurti tha se do të jetësojnë programin “anembanë” , që ai tha se nënkupton rrjet të integruar të transportit publik në tërë territorin e vendit, nëpërmjet biletës mujore që do të jetë e subvencionuar dhe me kosto të përballueshme, që ai tha se do të jetë prej 10 euro në muaj.
Ai më pas përmendi projektin “Brezovica”, që tha se do të bëhet përmes investimit prej 100 milionë euro, që Brezovica të bëhet e famshme jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e botë.
Për mandatin e ri, Kurti tha se po shtojnë një program të ri mbështetjeje për gjyshërit e secilës familje që ka fëmijë. Skema e mbështetjes për gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipat dhe mbesat në rastet kur dy prindërit punojnë, secili gjysh apo gjyshe që kujdeset për nipat apo mbesat prej 13 deri në 36 muaj kur prindërit punojnë, do të marrë 100 euro shtesë për çdo muaj mbi pensionin ekzistues.
Kurti premtoi programin programi “superpuna për gratë”, me subvencionim të pagës për gjashtë muaj. Pagën minimale, Kurti tha se do ta bëjnë mbi 500 euro dhe paga minimale nuk do të tatohet.
Kurti tha se do të fillojë sistemi i bonove për prindërit që synojnë të dërgojnë fëmijët në çerdhe publike.
Po ashtu tha se do të rritet numri i inspektorëve të punës. Kurti tha se çdo qytetarë do të ketë mjekun familjar, teksa premtoi edhe finalizimin e sigurimeve shëndetësore. Kurti premtoi edhe listë të rimbursueshme të barnave dhe shtim të buxhetit për listën esenciale të barnave.
Kurti tha se në mandatin e ri do ta përfundojë hekurudhën Prishtinë-Durrës dhe tha se do projektojnë linjën hekurudhore që lidhë Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin e Bujanocin. Ai tutje tha se do të përfundojnë ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, autostradën Prishtinë- Gjilan, gjithashtu do të ndërtojnë rrugën e Dukagjinit e do të vazhdojnë me ndërtimin e rrugëve Deçan- Plavë e Pejë-Rozhajë. Tha se rruga Dollc-Gjakovë e Kijevë-Zahaq do të finalizohen.
Kurti tha se do të do të transformohet buxhetimi për komunat, i bazuar nga të dhënat për numrin e popullsisë.
Kurti tha se do të krijohet Gjykata për Çështje Familjare.
Ai tha se do të themelojnë Prokurorinë e re për çështje të krimit të organizuar e korrupsionit me përkrahje dhe model të vendeve që e kanë kryer me sukses këtë betejë në Evropë.
Tjetër prioritet, Kurti ka paraqitur funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve e zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës dhe dronët ushtarakë “Made in Kosova” dhe njësinë ushtarake të përbashkët me forcat e Republikës së Shqipërisë.