Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk ka folur fare pas takimit të djeshëm në Bruksel me liderët e Bashkimit Evropian, ka dhënë pak detaje edhe në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
“Sot, unë dhe delegacioni qeveritar, jemi kthyer nga Brukseli ku dje gjatë ditës takuam krerët e Bashkimit Evropian, Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. Ftesa për këtë takim erdhi pas vizitës në Prishtinë të 5 emisarëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 21 tetor”.
“Iu përgjigjem pozitivisht sepse e konsideruam atë si mundësi të mirë për të kërkuar nga krerët e Bashkimit Evropian më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë, i cili është 381 kilometra i gjatë, më i gjatë se sa kufiri me tri shtete tjera marrë së bashku, pra Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, por edhe për të diskutuar më tej mbi propozimin e tyre për një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, pjesës integrale të kësaj marrëveshje që është Aneksi i Zbatimit dhe bashkërisht edhe me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7 Marrëveshjes Bazike”.
“Në lidhje me mbarëvajtjen e takimeve tona dje dhe qëndrimet e prezantuara atje, ne kemi dhënë një komunikatë për medie mbrëmë, por edhe sot së bashku me zëvendëskryeministrin Bislimi, do të flasim në konferencën për media pas kësaj mbledhje të Qeverisë”.