Analisti politik Visar Ymeri ngriti problemin e besimit të ndërsjellë Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive tjera politike në Kosovë, duke e cilësuar këtë faktor si pengesë kryesore për krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës.
Sipas Ymerit, qëndrimet e shprehura nga përfaqësuesit e koalicioneve opozitare AAK-Nisma dhe të partive tjera, si PDK dhe LDK, tregojnë një mungesë të thellë të vullnetit për bashkëpunim me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai kujtoi deklaratat e bëra gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve, ku politikanë si Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku janë shprehur hapur kundër bashkëpunimit me Kurtin, duke argumentuar se nuk ndajnë të njëjtat parime dhe vizion politik.
Nga ana tjetër, Ymeri rikujtoi edhe retorikën e Kurtit ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe votuesve të tyre, duke theksuar se nuk ka pasur një tërheqje nga qëndrimi i tij për t’i cilësuar ata si ‘hajvana’ dhe ‘hajvanatë’.
“Nëse nuk ka besim të ndërsjellë. Nëse, për shembull, qëndrimi i koalicionit AAK-Nisma është ai i shprehur nga zoti Berisha sonte, e që e kemi dëgjuar gjatë fushatës, nëse qëndrimi karshi Albin Kurtit është i Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut që kanë thënë që ne me këtë njëri nuk mujmë me bashkëpunu, sepse nuk pajtohemi me asnjë prej gjërave që ky thotë. Nëse në anën tjetër, Albin Kurti konsideron këta ‘hajvana’ dhe votuesit e tyre ‘hajvanatë’, se unë me sa e di nuk është tërhequr nga ai qëndrim i natës së zgjedhjeve.
Pra, besimi i ndërsjellë është shumë i rëndësishëm sepse subjektet politike kur futën në një koalicion qeverisës kanë besim me njëra-tjetrën, shumë më mirë mund të ecin punët me që nuk këqyrin prapa shpinës tonë kohës mos po ma lëshon prapa shpinës ky tjetri – qysh për shmebull Albin Kurti ia ka lëshuar LDK-së në bashkëpunimin e parë. Ky është problem i madh. Nuk mund ta neglizhosh.” – deklaroi ai në “Debat Plus”.