Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish ka shkruar në rrjete sociale për vizitën në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se janë në pritje të raportit që sqaron të gjitha dilemat për incidentin e presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit.
Postimi:
Diskutim i hapur, serioz dhe i sinqertë në takimin e parë bilateral me kryeministrin Mickoski gjatë vizitës së sotme në Shkup.
Trajtuam të gjitha çështjet dhe temat e vlefshme e të rëndësishme. Biseduam për bashkëpunimin ekonomik, atë në sundim të ligjit, për projekte infrastrukturore nga të cilat përfitojnë dy shtetet tona dhe të gjithë qytetarët tanë, dhe për incidentin në Aeroportin e Shkupit ndaj Presidentes Osmani. Shqetësimeve tona iu përgjigjën me keqardhje për atë çfarë ka ndodhur. Presim që hetimi dhe raporti të sqarojë në plotni dhe hollësi incidentin, që në të njëjtën kohë të sigurohemi që një situatë e tillë të mos përsëritet asnjëherë.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë të mira, sepse janë të bazuara në vlerat e përbashkëta që ndajmë dhe me synime të qarta për integrim evropian. Shkëmbimet tregtare janë rritur ashtu sikurse edhe eksportet tona në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Falënderoj delegacionin e kryesuar nga kryeministri Mickoski për pritjen dhe përkushtimin e tyre për të avancuar raportet bilaterale dhe për të kontribuar në bashkëpunim edhe më të madh rajonal.