Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Serbia qëndron pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Në një intervistë për Televizionin Publik të Austrisë, Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pas dhe mbi këtë sulm, teksa shton se ky është një akt i agresionit që duhet të dënohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe ShBA.
“Serbia ka 48 baza operative përreth Kosovës. 28 prej tyre janë militare, 20 janë xhandarmëri. Në secilën prej tyre ka 50-150 persona. Janë si patkua përreth shtetit tonë. Kur kanë vendosur barrikada në veri, persona me maska dhe uniforma kanë pasur shenja të Wagnerit dhe “Ujqërve të Natës”. Ata komunikojnë dhe operojnë me këto dy organizata terroriste nga Rusia dhe është e qartë se Serbia, duke dashur të krijojë Serbinë e Madhe në Ballkanin Perëndimor, sillet si një Rusi e vogël”, shtoi Kurti.
Ai thotë se Serbia nuk dëshiron paqe në rajon dhe dëshiron të destabilizojë shtetin tonë, duke dëshiruar tokë të humbur në luftërat e mëparshme, raporton Indeksonline.
Kryeministri deklaroi se Serbisë nuk i intereson nëse ka NATO apo jo, por që do të ndalen nga një qeveri demokratike, dhe se ideja e tyre që të rikthehen në vitet e ’90-ta është e rrezikshme.
Duke folur për marrëveshjet në kuadër të dialogut, Kurti thotë se Serbia refuzon të nënshkruajë, për shkak se marrëveshja parasheh njohje de-facto.
“Unë nuk mendoj se marrëveshja është e vdekur. Por, duhet më shumë presion ndaj sundimit autokratik në Serbi, e cila nuk qëndron pas asaj për të cilën është dakorduar dhe përdor dialogun për të forcuar aparaturën policore dhe militare të përdorur kundër Republikës së Kosovës./Indeksonline/