Kryeministri Kurti sot ka pritur në zyrën e tij përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.
“Në këtë takim të parë me kryeministrin Kurti në Prishtinë dhe vizitën e parë të emisarit Troccaz në Kosovë pas emërimit të tij nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës në fund të shtatorit të këtij viti, u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen dhe zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.”
Kurti e ka falënderuar Troccaz për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës dhe e njoftoi “me rezultatet e deritanishme të qeverisjes dhe progresin e shënuar në rrafshin demokratik dhe ekonomik të vendit”.
Ndërsa sa i përket dialogut, Kurti ka thënë se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë process. Kurti e ka njoftuar Troccaz me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë.
Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci.”
Kurti ka thënë se Serbia ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit.
“Kurse, për sa i përket situatës së sigurisë, kryeministri rikujtoi kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën. Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit, tha kryeministri, teksa shtoi se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor.”
ZKM njofton se në këtë takim Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja Rizvanolli, ndërkaq, emisari francez Troccaz po shoqërohej nga ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot.