Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e masakrës së fshatit Kotlinë të Kaçanikut.
Ai kujtoi se si më 24 mars të vitit 1999, Brigada e Mekanizuar 243 e Ushtrisë së Jugosllavisë, së bashku me njësite speciale të policisë, e rrethuan fshatin Kotlinë. Mes maltretimesh, policia serbe fillimisht i vrau tre të moshuar të cilëve më pas edhe ua dogjën trupat.
“Në mesditë, policia i mori gratë, fëmijët dhe të moshuarit dhe i dërguan me kamionë në Kaçanik, kurse burrat në Ferizaj, ku pasi i malltretuan i dëbuan drejt Maqedonisë. Ndërkohë që i dogjën pothuajse të gjitha shtëpitë e fshatit Kotlinë, sikur edhe shkollën dhe ambulancën e fshatit, ushtarët serbë i rreshtuan 35 djem të rinj dhe i nisën drejt një zone malore të fshatit. Atje, 13 prej tyre arritën të iknin malit dhe t’u shmangeshin plumbave, ndërsa 22 të tjerët u vranë prej forcave serbe. 16 trupa u hodhën në një pus dhe 6 trupa në një pus tjetër, para se të dy puset të shembeshin nga eksplozivi i hedhur në ta.
Pas luftës, në shtator të vitit 1999, ekipe të mjekësisë ligjore të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi (ICTY), i hapën puset dhe i konstatuan varrezat masive në to. Këto fotografi, e dëshmojnë këtë proces dhe trupat e viktimave të nxjerra nga puset gjashtë muaj pas vrasjes së tyre. Në vitin 2011, gjenerali i policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, që gjatë luftës në Kosovë kishte shërbyer si Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u akuzua në Hagë (ICTY) ndër të tjera edhe për përgjegjësi për krimet e kryera në Kotlinë. Ai u dënua me 27 vjet burg, për përgjegjësinë e tij dhe bashkëpjesëmarrje në vrasje, krime kundër njerëzimit, pjesëmarrje në ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe nxitje në vrasjen e shqiptarëve në Kosovë. Por në vitin 2014, Dhoma e Apelit e ICTY-së ia uli këtë dënim Vllastimir Gjorgjeviqit në 18 vjet burgim”, ka shkruar shefi i qeverisë.
Më tej, Kurti në Facebook thotë se para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe para historisë moderne të Evropës, Serbia do të mbahet gjithmonë përgjegjëse dhe fajtore për të gjitha krimet e të gjitha kategorive juridike të kryera në Kosovë, para dhe gjatë luftës.
“Të vrarët në Kotlinë, do të kujtohen dhe do të nderohen gjithmonë bashkë me ata që ranë në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për liri”, ka shtuar ai, njofton Klankosova.tv.