0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Kurti s’e dha bekimin, Osmani neglizhon afatin kohor që e përcaktoi për emërim të Kryeprokurorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritej që vendimin për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit ta bënte më 30 prill. Të paktën, kështu paralajmëronte Zyra e Presidencës, duke thënë se afati për nxjerrjen e vendimit ndërlidhet me proceset e hapura gjyqësore nga kundër-kandidatët e Blerim Isufajt.

Pas deklaratës së kryeministrit Kurti se asnjëri nga krerët institucionalë nuk e pranojnë Isufajn për kryeprokuror, presidentja duket se ka vendosur ta neglizhojë afatin që e përcaktoi vetë.

Tash e një vit, emri i Blerim Isufajt qëndron në sirtarin e presidentes Osmani për dekretim. Megjithatë, emri i KPK-së për kryeprokuror nuk po e lëvërdis fort pushtetin. Diçka të tillë e ka bërë të ditur haptazi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në Kuvendin e Kosovës tha se Isufaj nuk e ka bekimin e tij, as të presidentes e as të kryetarit të Kuvendit, raporton Gazeta Insajderi.

“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, deklaroi Kurti.

Nga kabineti i Osmanit u zotuan se çështja e Kryeprokurorit do të marrë epilog në fund të muajit prill.

“Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, deklaroi në fillim të muajit prill Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar Zyrën e Presidencës lidhur me respektimin e afatit të përcaktuar kohor nga vetë presidentja, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë marrë përgjigje.

Mediumi ka kontaktuar edhe dy kundër-kandidatët e Isufajt, që kishin apeluar më herët ankesë në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e kryeprokurorit.

Shqipdon Fazliu nuk u deklarua kur u pyet nëse ka ende ndonjë kontest të hapur gjyqësor lidhur me procesin e kryeprokurorit.

“S’kam koment”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Armend Hamiti nuk është përgjigjur në pyetjen e njëjtë, por shkurtimisht ka thënë për Gazetën Insajderi se nuk është kontaktuar nga institucionet qëndrore për çështjen e kryeprokurorit.

“Nuk kam pasë kurrfarë njoftimi”, deklaroi Hamiti për Gazetën Insajderi.

KPK iu është drejtuar muajin e kaluar me kërkesë Presidencës për dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. KPK vlerësoi se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim.

“Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha KPK-ja.

Ehat Miftaraj nga IKD, në një prononcim për Insajderin ka thënë se Zyra e Presidentes duhet ta sqarojë kur është afati i fundit për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse Zyra e Presidentes e ka lidhur procesin e vendimmarrjes lidhur me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me ankesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, duhet të sqarohen të gjitha rrethanat se kur është afati i fundit për tu ankuar në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kandidati i mbetur do të shfrytëzoj këtë të drejtë. Në këtë drejtim është e rëndësishme që Prokurori Fazliu të informoj publikun nëse do të vazhdoj me ankesat e tij në Gjykatën Kushtetuese apo i njëjti nuk do të shfrytëzoj këtë të drejtë. Sikurse, IKD dhe organizata tjera të shoqërisë civile që e kanë monitoruar këtë proces kanë shpërfaqur shqetësimet e tyre lidhur me rregullsinë dhe meritokracinë e këtij procesi, çështje të cilat duhet të kenë vëmendjen e Presidentes para se të vendos lidhur me këtë proces”, deklaroi ai për Insajderin.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar KPK-në për një qëndrim të dytë lidhur me mos-respektimin e afatit të 30-prillit nga ana e presidentes, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img