Site icon PrishtinaPress

Kurti: Rryma u shtrenjtua në krejt Evropën, jo veç te ne, tani situata është stabile

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike vjen si pasojë e mungesës së kapaciteteve gjeneruese në Kosovë, e si pasojë duhet të importohet me çmimin e ngritur jashtë vendit.

Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit thotë se rryma nuk është shtrenjtuar vetëm në Kosovë, por në të gjithë Evropën.

Megjithëse, ai shton se tani gjendja është më stabile, njofton Klankosova.tv.

“Së pari rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndodhur në krejt kontinentin evropian, dhe meqenëse ne nuk kemi kapacitete që ta mbulojmë konsumin e energjisë elektrike, nuk kemi kapacitete gjeneruese, detyrohemi të importojmë, dhe në këtë mënyrë ne e importojmë çmimin e ngritur jashtë vendit. Kjo ka qenë para tre vjetëve shumë e rëndë. Por tash që po flasim situata është shumë më stabile”, tha Kurti.

Sa i përket inflacionit, i pari i qeverisë u shpreh se vetëm në vitin 2022 gjendja ka qenë më e rëndë, ndërkaq tani ka stabilizim sa i përket kësaj çështjeje.

“Në këto katër vjet inflacioni ka qenë tepër i lartë në vitin 2022, është mbi 11 për qind. Inflacioni në këto katër vjet është diku rreth 22 për qind. Më shumë se gjysma e inflamacionit në këto katër vjet, është në një vit të vetëm, 2022. Ai ka qenë vit më i vështirë. Ndërkaq në vitin 2024 që sapo e lamë pas, inflacioni ka qenë rreth 1.5 për qind, ndërkaq tre muajt e fundit të 2024-ës inflacioni ka qenë ndër 1 për qind. Pra tash kemi një stabilizim”, tha ai.

Exit mobile version