Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se mund të rishikohet largimi i Policisë nga ndërtesat e komunave në veri, por së pari bandat e dhunshme kriminale, duhet të kthehen në Serbi apo të hyjnë në burg.
Kurti, për BBC tha se kryetarët e komunave në veri janë në zyrat e tyre dhe siç tha ai, kështu duhet të jetë.
“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale, të cilat kanë sulmuar e plagosur gazetarët, policët tanë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg”, u shpreh Kurti.
Ai tha se nuk mund të dorëzohet Republika demokratike te “milicia fashiste”.
“Ne nuk mund të dorëzojmë Republikën demokratike te kjo milicia fashiste, që paguhet nga një autokrat në Beograd, që ishte edhe ministër i propagandës së Millosheviqit. Ata nuk distancohen nga e kaluara nga Millosheviqi, nuk distancohen nga e tashmja nga despoti Vladimir Putin. Serbia është vendi i vetëm në Evropë që s’i ka vënë sanksione Rusisë”, shtoi tutje Kurti.
Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.