Site icon PrishtinaPress

Kurti replikon me Abdixhikun e Tahirin: S’mund ta marrë unë vendimin e ZRRE-së

Kryeministri Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në të cilin po diskutohet propozimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka pasur replika dhe kundër-replika me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Kurti tha se nuk mund të ndërhyjë në vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Ernegji pasi tha se kjo është sikur t’i kërkohet që të bëhet diktator. Ai paraprakisht u kritikua nga Abdixhiku dhe Tahiri. I pari tha se Qeveria mund ta heq TVSH-në për energjinë elektrike, ndërsa Tahiri tha se heqjen e bllok-tarifave në vitin 2017 e ka bërë drejtori aktual i bordit të ZRRE-së.

“Stafi profesional i ZRRE-së nuk ka rekomanduar heqjen e tarifave, përkundrazi, bordi dhe komisioni parlamentar. Kryesuesi i bordit sot që është nuk ka qenë në bord atëherë”, tha Kurti. “Në kundërshtim me komisionin parlamentar dhe bordit ka qenë rekomandimi i stafit profesional.”

“Unë e kuptoj që është një barrë e madhe edhe për shtetin, edhe për qytetarët. Bashkarisht duhet ta diskutojmë se si të dalim nga kriza, mirëpo unë nuk mund ta marrë këtë vendim përderisa ka ZRRE. Të kërkosh prej meje që ta marrë këtë vendim, pikërisht do të thotë të kërkosh prej meje të bëhem diktator”, ka theksuar ai.

Parpaprakisht, Abdixhiku e pyeti Kurtin se çfarë mendon për propozimin e ZRRE-së.

“A është i drejtë, a është i përballueshëm?”.

“Gabimin e parë që e bën në këtë temë është se konsumin e energjisë elektrike e barazon me të ardhura. Nuk je tu folë këtu për të ardhura të qytetarëve. Nuk është domosdo ai që shpenzon më shumë është më i pasur”, tha ai, duke theksuar se “Jo domosdo të pasurit shpenzojnë më shumë.”

Ai e pyeti kryeministrin se pse s’e heq 8% TVSH-në për energjinë elektrike.

“Ua dhashë tri propozime, por ju s’po doni.”

Ndërkaq Tahiri tha se heqja e bllok-tarifave në vitin 2017 ishte bërë me propozim të kryesuesit aktual të bordit të ZRRE-së.

“Kryeministër, po ta përkujtoj që personi i cili i ka heq bllok-tarifat ka qenë pikërisht Ymer Fejzullahu, të cilin ju e keni votuar si kryesues të Bordit të ZRRE-së. Pra, ky person, në atë periudhë e ka arsyetuar që kjo e nxit kursimin. Dhe ju sot po e kundërshtoni këtë, ndërsa e keni shpërblyer me një pozitë shumë të rëndësishme në këtë pozicion. Ai ka qenë drejtor i tarifave në ZRRE”, tha Tahiri.

Kurti, sikurse edhe Zyra e Rregullatorit për Energji në propozimin për rritjen e çmimit të rrymës, ka konstatuar se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.

ZRRE-ja, në raportin konsultativ ku propozonte shtrenjtimin e energjisë elektrike, theksonte se struktura tarifore e ndryshuar në vitin 2017 ka pasur ndikim të konsiderueshëm negativ në sistem, duke rezultuar në rritjen e kërkesave për rrymë dhe rrjedhimisht, shpenzimeve në blerjen e energjisë elektrike.

Exit mobile version