Site icon PrishtinaPress

Kurti refuzon ftesën e Hotit për të biseduar rreth dialogut me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit, Avdullah Hoti, për një takim ku do të diskutohej për dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka

“Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi pranuar një letër para dy ditësh ku ftohej Kryetari i LVV, Albin Kurti që të diskutojë me qeverinë aktuale për dialogun e ardhshëm me Serbinë. Një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe dhe e formuar nga Thaçi e për të si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinë nuk ka as kredibilitet as legjitimitet. Prandaj ne nuk i jemi përgjigjur asaj ftese sepse nuk do të jemi pjesë të këtyre takimeve”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, kryeministri, Avdullah Hoti ka ftuar opozitën që të jenë pjesë e procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë.

“Dialogun e udhëheqë kryeministri vendit, nuk do të bëj kurrfarë gare me askënd sepse kompetencat i kam të qarta dhe janë betonuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese…Kam dërguar ftesë edhe tek opozita që të prezantojmë qasjen e qeverise karshi dialogut Kosovë-Serbi. Një pjesë e opozitës ka heshtur ndaj ftesës sonë… Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm. Marrëveshjet duhet të arrihet me njohje reciproke”, kishte thënë Hoti.

Ndërkaq, para disa ditësh Qeveria Hoti ka larguar masën e reciprociteti ndaj Serbisë, Hoti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë

Exit mobile version