Qeveria e Kosovës ka lansuar skemën për mbështetjen e punësimit për anëtarët e aftë për punë të familjeve përfituese nga pilotimi i reformës së asistencës sociale, duke subvencionuar 70 për qind të pagës së tyre për gjashtë muaj. Po ashtu, të njëjtit, nuk do të largohen automatikisht nga skema sociale.
Kurti është shprehur se kjo masë synon barazinë dhe nxitjen e punësimit.
“Në lansimin e projektit për reformën e asistencës sociale premtuam një program i cili synon barazinë dhe nxitjen e punësimit. Premtimin për reformë që pikësynim ka barazinë shoqërore e kemi realizuar duke hequr kriteret diskriminuese dhe duke prezantuar teste të reja të varfërisë. Si rezultat, në fillim të këtij muaji, 1824 familje në nevojë përfituan mbështetje financiare duke u bërë kështu pjesë e grupit të parë të përfituesve”.
“Premtimin e dytë për nxitjen e punësimit po e realizojmë duke mos larguar automatikisht nga skema ata që punësohen, por duke inkurajuar dhe mbështetur integrimin e tyre në tregun e punës. Nëse në të kaluarën familjet me asistencë sociale punësimin e kanë parë si kërcënim për largim nga skema e asistencës sociale, sot duhet ta shohin si mundësi që të sigurojnë të ardhura të nevojshme për të mos pasur nevojën për skemën. Kjo realizohet në dy faza. Faza e parë përfshinë subvencionimin e 70 për qind të pagës së punëtorit për 6 muaj me radhë. Si mbështetje shtesë nëse punësimi vazhdon edhe për 6 muaj të tjerë punëdhënësi do të përfitojë gjithashtu një pagesë të njëhershme”, tha ai./KP