Site icon PrishtinaPress

Kurti pyetet për raportimet se i ka pesë ministra nën hetime nga Task Forca, kështu përgjigjet

Kryeministri Albin Kurti është pyetur nga gazetarët në konferencën e sotme lidhur me raportimet se Task Forca Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës, është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së tij.

Kurti është përgjigjur shkurt, ku ka thënë se s’është i informuar për këto hetime.

“Unë nuk jam i informuar për këto hetime që po thuhet se po bëhen nga Task Forca”, ka thënë Kurti.

Sipas raportimeve, një prej ministrave që po hetohet është edhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se ende s’ka marrë ndonjë ftesë për intervistim dhe se për këtë çështje të gjitha informacionet që i ka, janë ato që janë publikuar nga mediat.

“Fatkeqësisht të gjitha ato që ne i dijmë janë ato që i kuptojmë nga mediat. Kjo është pyetja e parë që më parashtrohet drejtpërdrejtë për rastin në fjalë. Unë nuk kam informacione më shumë mbi ato hetime potenciale. Këtë e kemi kuptuar nga një portal dhe pastaj unë e kam pas një reagim publik për këtë situatë. Sidoqoftë unë nuk e kam pasur asnjë ftesë nga asnjë orghan hetues që të intervistohem, pyetem rreth kësaj çështje. Cfarë unë kam kuptuar nga mediat është se ka të bëjë me financimin e kuzhinave humanitare”, ka thënë Krasniqi në konferencën e përbashkët me Kurtin.

Sipas “Betimi për Drejtësi”, Ministri i Financave, Hekuran Murati po hetohet në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës.

Për këtë rast, ishte bërë kallëzim penal, të cilin Task Forca po e heton. Ministri Murati është ftuar nga Task Forca që të intervistohet në hetuesi në cilësinë të të dyshuarit, por ai ka refuzuar, duke kërkuar që të intervistohet në zyre të tij. Hetuesit e Task Forcës nuk e kanë pranuar kërkesën e Muratit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla po hetohet nga Task Forca e policisë, së bashku me zëvendësministren Liza Gashi, pasi dyshohen për dhënien e 1 milion e 40 mijë eurove për “Caritasin Zviceran”, ku kjo e fundit, ka angazhuar për kryerjen e shërbimeve OJQ-në Germin, në të cilën Liza kishte qenë drejtoresh para se të bëhej zëvendësministre. Deri tash i janë paguar “Caritasit 344 mijë euro.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një rast që po hetohet nga Task Forca, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se dyshohet se në një rast ku në mënyrë të kundërligjshme rreth 300 mijë euro janë shpenzuar për projekte për minoritetet.

Ministrja e Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, po hetohet nga Task Forca, nën dyshimin se keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të keqpërdorimit të rezerave shtetërore, përkatësisht në lidhje me blerjen e miellit dhe vajit, për të cilat është dëmtuar buxheti i shtetit.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj ministie, është intervistuar nga Task Forca, nën dyshimin se kjo ministri ka dhënë një kontrate për konsulencë mbi 130 mijë euro, ku konsulenti i angazhuar si arkitekt vendor, paguhet 5 mijë e 550 euro në muaj.

As Ministria e Infrastrakturës e udhëhequr nga Liburn Aliu nuk ka mbetur pa u hetuar nga Task Forca antikorrupsion. Në këtë ministri po hetohet zëvendës ministri Hysen Durmishi, në lidhje me tenderin e tiketave, për të cilin pas nënshkrimit, ishte zbrapsur.

Exit mobile version