Qeveria gjatë ditës së sotme mbajti mbledhjen e saj të 159-të.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa nga 23 vendimet që janë miratuar sot gjatë mbledhjes.
Postimi i tij:
Në mbledhjen e 159-të të Qeverisë, mes 23 vendimeve:
– Miratuam Projektligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare.
– Inicuam reformë me Projektligjin për falimentim.
– Themeluam Këshillin për Zhvillim të Industrisë.
– Për të avancuar tutje bashkëpunimin në drejtësi, miratuam tri nisma të marrëveshjeve me Mbretërinë e Suedisë.
– Me marrëveshjen me Austrinë, bashkatdhëtarëve tonë do të mundësohet njohja e përvojës së punës në të dy republikat.
– Për pjesëmarrjen e Kosovës në “Programin e Tregut të Vetëm”, dërguam në Kuvend marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Evropian.
– Aprovuam Koncept-dokumentin për Fushën e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
– Në solidaritet me popullin turk, ndamë 500 mijë euro për mbështetje të familjeve të ndikuara nga tërmeti në Turqi.
– Ndamë mjete financiare për të mbuluar shpenzimet e transportit të kufomës së shtetases argjentinase.
– Për realizimin e projekteve për katër deponi sanitare, për regjionet Prishtinë, Prizren, Podujevë dhe Gjilan, iniciuam shpronësimin e parcelave përkatëse.
– Miratuam vendimet preliminare për shpronësim për interes publik për zgjerimin e rrugëve rajonale Prizren-Prevallë dhe Doganaj-Shtërpcë.
– Pronat e menaxhuara dhe në pronësi të Republikës së Kosovës ia dhamë në shfrytëzim pa kompensim komunës së:
• Fushë Kosovës për ndërtimin e objektit të Njësisë profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim, si dhe
• Hanit të Elezit për ndërtimin e hapësirës për administratë dhe për park të qytetit.
– Miratuam kërkesat për shpronësim të komunave të Prizrenit dhe Rahovecit, për varrezat e qytetit, përkatësisht ndërtimin e sheshit qendror të qytetit.